Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen mes dy kuvendeve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë për nder të 110 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se
“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante “e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kishim për atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhërimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllazërisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë” – mbaron citati. I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës. Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf, por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund. Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”, tha Kurti.




