Kurti: Miratuam buxhetin e mirëqenies dhe solidaritetit

Kryeministri Albin Kurti i ka falënderuar deputetët që votuan buxhetin e qeverisë për vitin 2022.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se buxheti për këtë vit do të jetë “buxhet i zhvillimit”.

Kurti ka shtuar se me 40 milionë euro do t’i mbështesin prodhuesit vendorë.

“Me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet”.

“Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme. Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri,” ka thënë Kurti.