Kurti mesazh Përfaqësueses së Kosovës: Besimi që i dhatë kombit, shumë më i madh se rezultati

Kryeministri Albin Kurti ka dërguar mesazh përkrahës për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Kurti ka theksuar se pavarësisht humbjes nga Turqia të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultatin 1:0, paraqitja e lojtarëve të Kosovës ka qenë për t’u vlerësuar.

“Përshëndetje kryetar, të lutem pranoje dhe përcille tutje një falënderim të madh për gjithë stafin teknik, e në veçanti për trajnerin Franco Foda, për paraqitjen në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës. E di që humbja e djeshme dhemb. Sidomos kur ishim aq afër. Por puna, përkushtimi dhe serioziteti që janë ndërtuar në këtë ekip nuk humbin brenda një ndeshjeje. Keni krijuar një ekip që i dha besim një kombi të tërë. Kjo është shumë më e madhe se rezultati. Por tutje, rezultati final është ai në çka duhet të fokusohemi. Ju lutem t’i qëndroni fort rrugëtimit drejt Kampionatit Evropian. Jemi shumë afër dhe jemi bashkë në çdo hap”, shkruan në letrën e kryeministrit Kurti, të cilën e ka postuar Federata e Futbollit të Kosovës.