Kurti: Me Serbinë dëshirojmë marrëveshje për njohje reciprokeKurti: Me Serbinë dëshirojmë marrëveshje për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme finale me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.

Ai ka thënë se dëshirojnë të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

Duke komentuar emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, Kurti tha se emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik, gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër, marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë”, tha Kurti.

Në fillim të këtij muaji Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri britanik, Boris Johnson pati deklaruar se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Londrës zyrtare për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.

Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.

Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal.