Kurti: Mbi gjysmë milion euro janë dedikuar për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të 21-të të Javës së Bibliotekës, e cila u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ai tha se mbi gjysmë milion euro të fondeve të Qeverisë së Kosovës janë dedikuar për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Kurti theksoi se çdo qytetar i Republikës së Kosovës tashmë ka qasje në arkivat digjitale, si një burim i paçmuar për edukimin dhe zhvillimin e mëtejshëm, kur janë digjitalizuar rreth 600 mijë objekte digjitale, përfshirë gazetën Rilindja dhe koleksionet e rralla e të vjetra.

“Qeveria jonë ka prioritet ruajtjen e kujtesës si bazë e vetëdijes sonë kombëtare. Kujdesi për çdo cep të Kosovës është një vlerë e pandashme me jetën tonë të përditshme, edukatën dhe filozofinë e të jetuarit në këtë vend”, shtoi kryeministri .

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, profesorë e përfaqësues të institucioneve të kulturës, dhe pjesëmarrës të shumtë adhurues të librit e të artit, të cilët u mirëpritën nga u.d. drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Bukurije Haliti, si dhe anëtarë të tjerë të stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. /Klankosova.tv