Kurti: Marrëveshjen e fluturimit me Serbinë e mora të përfunduar

Kurti tha se marrëveshjen për fluturime me Serbinë e ka marrë të finalizuar, ndërsa u shpreh se duhet ta lënë të qetë Gjykatën Kushtetuese për të marrë vendimin përfundimtar rreth dekretit të Thaçit për Hotin si mandatar për kryeministër.

Në lidhje me bashkëpunimin me Serbinë, Kurti theksoi se duhet të kihen parasysh dy gjera themelore si kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës dhe rentabiliteti ekonomik.

“Ne dimë versionin final të asaj marrëveshje që mua më është prezantuar me vonesë, pra atëherë kur edhe negocimi, edhe draftimi i saj kishin përfunduar. Mund të them që ne jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, mirëpo ky bashkëpunim duhet të ketë parasysh dy gjëra themelore: E para është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Republikën e Kosovës dhe e dyta është rentabiliteti ekonomik. Pra, të gjitha bashkëpunimet tona të cilat përfshijnë bashkëpunimin ekonomik do të duhej që të jenë të leverdishme dhe si të tillë të qëndrueshme. Tash, ajo nuk është në kuptimin e plotë të fjalës, një marrëveshje, më shumë është një shprehje e interesit e cila duhet të kalojë edhe në shumë hapa të tjerë për t’u bërë marrëveshje. Veçse ndodhemi në kushtet e pandemisë së COVID-19 që ka ngrirë një varg aktivitetesh dhe procesesh e njëri prej tyre është edhe ky”, deklaroi Kurti.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Thaçi, kryeministri deklaroi se duhet ta lëmë në qetësi këtë institucion për të marrë vendimin profesional dhe meritor.

Ndërsa, shtoi se ai është duke punuar me të gjithë kompetencat dhe nuk do t’i pengojnë skenarët për Qeverinë Hoti.

“Besoj që duhet ta lëmë të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese, ajo i ka aktgjykimet e saj nga rastet e mëhershme. Ekziston përvoja dhe praktikat e deritanishme, e kemi kushtetutën tonë, dhe le të punojë në qetësi për vendim profesional e meritor. Kosova është shtet i pavarur e ka kushtetutën, i ka ligjet e veta dhe unë punoj me gjithë dije e kompetencat që kam dhe nuk do të mund të na pengojnë insinuatat e tilla qofshin ato edhe presidenciale”, vijoi Kurti.