Kurti: Marrëveshja mes Hotit dhe Vuçiqit nuk ka të bëjë as me shqiptarët as me serbët

Intervistë e realizuar me z. Albin Kurti nga Anthony Preston, ndihmës-dekan dhe koordinator i programit global në Northern Illinois University, SHBA. Intervista është realizuar gjatë muajit tetor dhe do të botohet në kuadër të disertacionit të doktoraturës, i cili në fokus ka politikën e jashtme të SHBA-së karshi Kosovës.

Anthony Preston: Z. Kurti, ju qysh në rininë Tuaj të hershme keni qenë aktiv në çështjen e Kosovës. Keni qenë të përndjekur, të burgosur, të ekspozuar përpara dilemës hamletiane “të jesh apo të mos jesh” dhe kurrë nuk keni hequr dorë nga ideali Juaj për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Nga ku buron gjithë kjo forcë dhe energji e juaja?

Albin Kurti: Populli ynë ka një histori të përpjekjes dhe angazhimit për liri, barazi e drejtësi që ka frymëzuar breza të tërë. Jam edukuar nëpër atë përpjekje, forca dhe energjia ime janë të kësaj përpjekjeje dhe angazhimi. Thjesht, jam rreshtuar aty dhe si shumë veprimtarë, kam ndjekur atë ç’është e vërtetë dhe e drejtë, e kam synuar atë çfarë na takon dhe e meritojmë.

Anthony Preston: Kosova tashmë gati 13 vjet është një shtet sovran dhe i pavarur. Fatkeqësisht gjërat nuk janë siç duhet. Drejtësia, arsimi, shëndetësia, fjala e lirë janë kthyer në entitete abstrakte. Përse ndodh një gjë e tillë?
Albin Kurti: Kosova është shtet i kapur dhe duke qenë i tillë nuk është as i ekonomisë e drejtësisë, por as edhe i arsimit e shëndetësisë. Nuk është i ekonomisë dhe arsimit sepse në vend të ndërlidhjes së tyre i privatizuan ndërmarrjet publike dhe e mbajtën të ndarë arsimin prej asaj ekonomie që mbeti. E nuk është as i drejtësisë e shëndetësisë për shkak se çfarë heton janë në njërën anë prokurorët dhe gjyqtarët e kapur, kurse në anën tjetër profesionistët shëndetësor që ikin nga vendi. Kosova ka pushuar së qenuri një vend ku vlerësohet dija dhe ajo që vërejmë krahas largimit të trurit nga vendi, është edhe nepotizmi dhe militantizmi në krye të institucioneve. Ta zëmë, në këtë qeverinë koti tani, kishim ish këshilltarin e Ministrisë së Drejtësisë që kishte trafikuar 113 kg drogë, këshilltarin aktual në Ministrinë e Shëndetësisë me shkollim fillor, zëvendës-ministrin e Arsimit dhe Shkencës, po ashtu aktual, me shkollë të mesme,… Pra, në Kosovë pozitat udhëheqëse janë ndarë në pazarin e koalicionit qeverisës. E, edhe atëherë kur janë ndarë nëpër ato pozita kanë vendosur të vejnë njerëz të dëgjuar të partisë e jo profesionistë të fushës.

Anthony Preston: Përveç luftës Suaj të pakompromis për një shtet të së drejtës, ju keni kundërshtuar me ngulm krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe, së fundmi, edhe idenë e shkëmbimit të territoreve të presidentit Thaçi. Çfarë fshihet pas gjithë kësaj?
Albin Kurti: Këto dy projekte janë dy anë të së njëjtës medalje për ndarjen e Kosovës. Ajo çfarë ka ndodhur është që kundërshtarëve të “Zajednicës” u bëhej oferta e shkëmbimit territorial, ndërkaq atyre që e kundërshtonin shkëmbimin territorial u bëhej oferta për “Zajednicë”. Ne kemi thënë se këto janë dy faza të të njëjtit proces dhe suksesshëm i kemi kundërshtuar që të dyja. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe nuk do të duhej që për çështjet e brendshme të diskutojë me Serbinë.

Anthony Preston: Ju erdhët në pushtet dhe e humbët atë shumë shpejt. Cilat ishin shkaqet dhe a mendoni se gabuat në qeverisje?
Albin Kurti: Ne garuam në zgjedhje me një program, të cilin më pas me partnerin qeverisës për aq sa kemi mundur e kemi përkthyer në program qeverisës. Aty pjesë qendrore zinte premtimi që të dyja subjektet kishim dhënë për reciprocitet ndaj Serbisë. Ne i qëndruam atij premtimi, por partneri qeverisës nuk e përballoi trysninë nga jashtë dhe vendosi të tërhiqet e largohet. Mund të kemi gabuar në ndonjë fushë gjatë qeverisjes, por në asnjë mënyrë nuk do e cilësoja si të gabueshme qëndrimin tonë për një çështje kaq të rëndësishme si ajo e reciprocitetit. Kjo është bazë për shtetin, por edhe për çdo marrëdhënie fqinjësore.

Anthony Preston: Nga oponentët Tuaj cilësoheni si antiamerikan. Është e vërtetë kjo?
Albin Kurti: Amerika e Revolucionit Amerikan, e F.D. Roosevelt, J.F. Kennedy-t dhe e Martin Luter King Jr. ashtu siç është frymëzim për të gjitha aspiratat botërore për çlirim dhe barazi ashtu është edhe për mua. Në kuptimin e tyre dhe të të ngjashmëve të tyre e konsideroj veten amerikanofil. Këtë vit ka dalë Raporti i Departamentit Shtetëror amerikan për klimën e investimeve në Kosovë. Aty, lavdërohet Qeveria jonë për luftimin e korrupsionit, por që, siç shkruan në raport, për shkak të mandatit të shkurtër nuk ka arritur që t’i institucionalizojë metodat kundër korrupsionit. Po të isha antiamerikan, Departamenti Shtetëror nuk do të dilte me lavdërime të tilla. Por kundërshtarët, duke mos dashur të merren me argumente tona dëshirojnë të vendosin etiketa të paqena. Këso etiketa na janë ndërruar shpesh herë për shkak se asnjëherë nuk kanë qëndruar ato akuza.

Anthony Preston: Mendoni se Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë është e dëmshme për Kosovën?

Albin Kurti: Konteksti i atyre zotimeve në Uashington është ai i zgjedhjeve në ShBA. Zotimet e kryeministrit të paligjshëm Hoti dhe të presidentit autoritar serb nuk kanë të bëjnë me shqiptarët në Kosovë ose me serbët në Serbi, sa me shqiptarët në Michigan dhe serbët në Ohio. Nuk kam parë ndonjëherë aq shumë zotime, aq shumë tekst në një faqe e gjysmë. Aty ka gjithçka, nga 5G, Kishat Ortodokse, autoudhat, hekurudhat, Ujmani, dekriminalizimi i homoseksualitetit, Izraeli, Hezbollahu, Jerusalemi, etj., andaj them se ato zotime kanë karakter elektoral.

Anthony Preston: Videoja juaj e këtyre ditëve drejtuar komunitetit shqiptar në SHBA në mbështetje të Biden-it, është e para e këtij lloji që një lider politik i një vendi të vogël, siç është Kosova, mban për herë të parë anën e një kandidati presidencial të një shteti të madh, siç janë SHBA-të. Ky qëndrim i Juaji është një hakmarrje e tërthortë, ta quaj kështu, ndaj presidentit Trump që, siç përflitet, e ka humbur simpatinë politike ndaj jush apo, thjesht, një apel qëllimmirë për ndërrimin e kursit politik në SHBA?
Albin Kurti: Në të kaluarën kishim krerët shtetëror që mbështesnin kandidatë të caktuar në zgjedhje, edhe në ShBA. Unë si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! kam mbështetur kandidatin Biden, njësoj siç kemi mbështetur më parë SPD-në në Gjermani, ose kandidatin e Labour Party në Angli. Këtë vit Lëvizja jonë është bërë pjesë edhe e Aleancës Progresiste ku edhe Partia Demokratike është e afiliuar, andaj përkrahja e kandidatit Biden është e natyrshme. Për më tepër kjo mbështetje është edhe në interesin tonë kombëtar marrë parasysh që Biden është një mik i provuar i shqiptarëve në Ballkan. Ai ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit, që kërkoi intervenimin në Bosnje e më pas edhe në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serb të luftës, dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Kosovës.
Anthony Preston: Ju faleminderit për kohën!

Albin Kurti: Ishte kënaqësi.