Kurti kujton policin ukrainas që u vra 14 vjet më parë nga serbët gjatë një aksioni në veri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar në 14 vjetorin e vdekjes policin ukrainas, Ihor Kinal, i cili ndërroi jetë në krye të detyrës derisa po shërbente në Kosovë në kuadër të UNMIK-ut.

Kinal kishte marrë plagë të rënda gjatë një intervenimi të UNMIK-ut dhe KFOR-it më 17 mars 2008 kur ata hynë për të liruar Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin uzurpuar nga rreth 300 protestues të armatosur serbë, teksa ndërroi jetë një ditë më pas nga plagët e marra, njofton Klankosova.tv.

“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars”.

“Grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin me 17 mars 2008. Ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi”.

Kurti mes tjerash thotë se teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus.

“Ai la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë”.

“Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.