Kurti: KEK-u është shitur “më lirë se badihava”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme në lidhje me ngritjen e cmimeve të energjisë, ka përmendur dy probleme, që sipas tij janë kryesoret të dekadës së fundit.

I pari sipas Kurtit është ai i 17 tetorit të vitit 2012, ku është marrë vendimi për shitje të aksioneve të KEK-ut, dhe se sipas tij Kosova nuk do të ndodhej në këtë situatë sikur të mos kishte monopol privat në këtë fushë.

“Dy probleme kryesore të dekadës së fundit, i pari është ai i 17 tetorit të vitit 2012. Vendim për shitje të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. Nuk do të ndodheshim në këtë situatë, sikur të mos kishim monopol privat në këtë fushë. Dhe, kemi pasur një shitje, prej 26.3 milion eurove, pra një shitje që populli ynë e ka një fjalë ‘më lirë se badihava’”, ka thënë Kurti, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, problemi i dytë sipas Kurtit është ajo e datës 31 mars 2017 ku është marrë vendimi i heqjes së bllok-tarifës.

“Konsumatorët me konsum më të ulët subvencionojnë konsumatorët me konsum më të lartë, rrezikim i sigurisë së furnizimit, rritje e kostos së shërbimit”.

Më tej, ai i është drejtuar opozitës se idetë që ata po i japin sot atij, partia që ai e udhëheq, Vetëvendosje, i ka në program që nga viti 2013.

“Pra, këto dy janë probleme kapitale që i kemi trashëguar. Unë ju falënderoj për idetë se si të dalë nga kriza, por këto ide të reja janë në programin e subjektit që unë e drejtoj që nga viti 2013”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.