Kurti i përgjigjet Escobarit nëpërmjet VV-së së Tiranës për Asociacionin

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk do ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë bashkësi të projektuar të komunave me shumicë serbe, anëtarë të këtij subjekti politik janë kthyer ta quajnë “Zajednica”, si atëherë kur LVV ishte në opozitë.

Enis Sulstarova, themelues i degës së LVV-së në Shqipëri, ka thënë se Qeveria nuk do ta pranojë “Zajednicën”, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha të martën se punët për themelimin e Asociacionit duhet të nisin menjëherë.

”Zajednicën nuk e pranojnë LVV, qeveria Kurti, GjKK, shumica parlamentare, populli në përgjithësi, sektorë e organizata të shoqërise civile”, ka shkruar ai.

“Ata që e duan në Kosovë le t’i gjejë Eskobari se kush janë”, ka shtuar Sulstarova.

Escobar ka thënë se Kosova e ka obligim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, ka thënë Escobar.