Kurti homazhe pranë pllakës përkujtimore të zyrtarit policor Triumf Riza, vendoset gurthemeli i lapidarit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha bën homazhe pranë pllakës përkujtimore të zyrtarit policor Triumf Riza, në 18-vjetorin e rënies së tij.

Pas homazheve kryeministri Kurti, i shoqëruar nga familjarë të policit Riza, mori pjesë në vënien e gurthemelit të lapidarit kushtuar policit Triumf Riza.

“Triumf Riza para se të jetë polic i guximshëm ishte njeri i guximshëm. Menjëherë në vitin 1999 kur ishte vetëm 20 vjeçar, u inkuadrua në Policinë e Kosovës, atëherë Shërbimi Policor i Kosovës, për t’i shërbyer rendit publik dhe sundimit të ligjit. Ishte i përkushtuar dhe i pa kompromis”, tha kryeministri Kurti, teksa vlerësoi lartë punën e palodhshme të policit Riza në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të drejtësisë.

Duke qenë se për nëntë vjet ka banuar në këtë lagje, kryeministri Kurti tha se e ka njohur Triumf Rizën, derisa e ka përshkruar atë si një djalë fenomenal të kryeqytetit, i cili e ka dashur drejtësinë edhe nuk e ka kursyer vetën në asnjë çast për drejtësinë.

“E tash si Hero i Kosovës, si dikush që sakrifikoi jetën kundër bandave e grupeve kriminale, kundër njerëzve të cilët synojnë të jenë mbi shtetin e kundër qytetarit, është bërë inspirim për secilin zyrtarë shteti e jo vetëm për policinë e Kosovës”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se vënia e gurthemelit të lapidarit që i kushtohet atij, do t’ua kujtojë përjetë e mot brezave se t’i shërbesh Republikës së Kosovës është nder dhe përgjegjësi.