Kurti: Grenellin e kam shikuar dy herë në sy, asnjëherë nuk i kam thënë do ta heqim taksën 100 për qind

Kurti tha se nuk i ka thënë asnjëherë Grenellit se do të heqë taksën 100 për qind pa reciprocitet, shkruan lajmi.net.

Grenell më herët në një intervistë ka thënë se: “Kurti më ka shikuar në sy dhe më ka thënë do ta heq taksën 100 për qind”.

Ky është statusi i plotë i Kurtit:

Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial. /