Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk e ka lexuar ende raportin e fizibilitetit për Ujmanin të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji.
Që nga e mërkura kur u publikua ky raport, asnjë koment nuk është dhënë nga Qeveria lidhur me të.
Dy ditë më pas, Kurti është sqaruar se nuk e ka lexuar raportin ende e s’e do ta komentojë më vonë.
“Nuk e kam lexuar ende raportin. Ne kemi ekipet që merren me këtë gjë. Pastaj do ta komentojmë”, ka thënë ai.
Departamenti amerikan për Energji e ka kryer obligimin e vetë sa i përket përmbushjes së një pike të Marrëveshjes së 4 shtatorit 2020, të nënshkruar në Uashington nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Tashmë ky departament ua ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, ashtu siç edhe ishte përcaktuar me dokumentin e firmosur në Shtëpinë e Bardhë. Por puna që ka bërë ky departament nuk ishte paraparë të bëhej pa bashkëpunuar me palët- Kosovën dhe Serbinë
Në planin e veprimit të Qeverisë së Kosovës, kur ajo ende drejtohej nga Hoti, përkitazi me zbatimin e marrëveshjeve të Uashingtonit thuhej se: “Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit”.