Kurti flet për gjendjen e tre policëve, i gatshëm të shkojë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i ka vizituar të martën tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.

Në një konferencë për media me gazetarë, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, Kurti ka insistuar se policët janë rrëmbyer dhe se një veprim i tillë ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të, siç ka thënë, luftimit të krimit të organizuar.

Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë.

Përgjatë konferencës, Gërvalla ka thënë se ambasadori Jashari i ka vizituar të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë.

Ajo ka thënë se takimet janë mbajtur ndaras, nga 15 minuta me secilin.

“Aty, secili prej zyrtarëve policorë e ka përshkruar ngjarjen e rrëmbimit te tyre, që nga momenti i kapjes, deri te dalja para prokurorit dhe gjyqtari i procedurës paraprake”.

Ajo ka thënë se policët kanë deklaruar se nuk janë maltretuar, por nuk u janë dhënë shumë ushqime dhe njërit prej tyre i mungojnë ilaçet e nevojshme për sëmundjet kronike nga të cilat vuan.

Zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor.

Prishtina ka thënë se ata janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.

Të pyetur nëse vizita e Jasharit në Kralevë është kushtëzuar me vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviq, të dy zyrtarët kanë thënë se këto çështje nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën.

“Është e vërtetë që Paviçeviq e ka kërkuar lejen. Por, ju e dini shumë mirë që kur i kushtohet rëndësi e veçantë një akti, apo një veprimi, Serbia e dërgon gjithmonë [shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar] Petkoviqin në Kosovë, i cili flet në emër të Serbisë këtu, në raport me qytetarët tanë”, ka thënë Gërvalla.

Paviçeviq besohet të ketë vizituar serbët e arrestuar së fundi nga autoritetet e Kosovës, lidhur me dyshimet për pjesëmarrje në vepra penale, apo edhe për sulmet ndaj gazetarëve që kanë raportuar nga veriu në javët e fundit.

Kurti: Nuk mund ta di kah mund të shkojë kriza e veriut

Më herët gjatë së martës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

I dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, ka thënë ai, përgjatë një bisede bashkë me Escobarin në Këshillin e Atlantikut në Uashington.

I pyetur për qëndrimin e Escobarit për situatën në veri, Kurti e ka drejtuar gishtin kah Beogradi.

“Kah mund të shkojë kriza e veriut, nëse nuk shtensionohet, unë nuk mund ta di sot, por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Herë me politikanë që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eskalimit do ta gjeni atje. Prandaj, nëse ka të drejtë emisari Escobar, atëherë adresa ku do të duhej të merremi, që të mos kemi konflikt rajonal, është Beogradi”.

Këto zhvillime pasojnë tensionet në veri të Kosovës prej 26 majit.

Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet.

 

Kurti: I gatshëm të shkoj në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kurti ka thënë se është i interesuar që të shkojë në Bruksel, në takimin që e ka përmendur Borrelli.

“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike”.

“Për bindjen time, presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes bazike. Dhe tani i kemi gjithë këto kriza. Ai ka deklaruar më 24 prill që Marrëveshjen bazike e pranon vetëm në koncept, dhe jo në përmbajtje, çka është në kundërshtim me atë që ka thënë më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, dhe e dyta ka thënë se zbatimin e paramendon me kufi, zbatim i limituar, që është sërish në kundërshtim”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shkurt të këtij viti në Bruksel për një Marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve.

Më pas, në mars në Ohër, ato janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit.

Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL