Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet lokale, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen ndaj kandidatëve të LVV-së nëpër komuna.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti theksoi se qytetarët e Kosovës edhe njëherë kanë dëshmuar kulturën e tyre demokratike, duke kaluar ditën e zgjedhjeve me qetësi, dinjitet dhe përgjegjësi.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi,” ka shkruar Kurti.
Ai u shpreh mirënjohës për mbështetjen e dhënë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kandidatëve të saj, duke e konsideruar këtë si forcë për të vazhduar përpara me punë dhe përkushtim.
“Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara,” shtoi Kurti.
Në fund të reagimit, ai theksoi rëndësinë e fazës së numërimit të votave, duke bërë thirrje për profesionalizëm dhe kujdes nga komisionerët dhe vëzhguesit.
“Tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve,” përfundoi Kurti.