Kurti: Është problematike që Serbia nuk i pranon krimet dhe gjenocidin në Kosovë, kjo na ofendon më shumë se mosnjohja

Kryeministri, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin e Bratisllavës “Globsec 2022”, ku edhe njëherë është shprehur kundër planit Ballkani i Hapur.

“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar. Nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore. Jemi në rregull me këtë. Dhe mbështetemi shumë te procesi i Berlinit 2.0. tashmë me një nisje të freskët nga kancelari Sholc, e mbështesim iniciativën me vlerat evropiane brenda, dhe BE-ja që të na ndihmojë por jo jashtë BE-së”, tha kryeqeveritari kosovar, derisa i kritikoi homologët rajonal që janë pro nismës Ballkani i Hapur.

“Dua të them, se për nga orientimi politik po aq edhe për nga ndjeshmëria politike, nuk i besoj atij grupi politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi anëtarë sa më shpejtë që është e mundur”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit është e qartë që Serbia e kishte eksploatuar frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhur me negociatat për hyrje në BE, duke e hartuar planin për Ballkanin e Hapur.

“Kur ishte e qartë që negociatat nuk do të hapeshin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në tetor të vit 2019, presidenti i Serbisë e kishte nisur këtë iniciativë, unë besoj, duke e eksploatuar frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe e dimë shumë mirë që Serbia është shumë në marrëdhënie më të mira me federatën e Rusisë dhe Kinën se sa me ShBA-në”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë në Formunin e Bratisllavës “Globsec 2022” që Kosova është më e ofenduar që Serbia po i mohon krimet në të kaluarën se sa mosnjohjen nga ky shtet, njofton Klan Kosova.

“Në procesin e bisedimeve me Serbinë nën ombrellën e Brukselit kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ që kemi nevojë për dialog që do të jetë parimor midis palëve të barabarta për një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë të përqendruar te njohja e ndërsjellë”, ka thënë Kurti në “Globsec”.

“Është fatkeqësisht Serbia që po thotë se nuk do të na njohë kurrë dhe përtej kësaj, as nuk i njohin krimet e tyre në të kaluarën. Që të jem i sinqertë, kjo e dyta na ofendon shumë më shumë se ajo e para”.

Kurti tha se 19 shtete demokratike të NATO-s e kishin bombarduar një vend në Evropë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë në Kosovë, andaj e sheh shumë problematike që Serbia nuk i pranon krimet e saj.

“Këtu e shoh thelbin e problemit. Mohimin e krimeve të së kaluarës, krimeve të luftës, gjenocidit e kështu me radhë”.

“Megjithatë po përpiqemi shumë në Bruksel bashkë me z, Lajçak që të arrijmë marrëveshje kur bëhet fjalë për tabela automjetesh me parimi e reciprocitetit sa i përket energjisë elektrike në veri, sepse energjia nuk paguhet atje nga serbët për shkak të strukturave ilegale, jo për shkak të qytetarëve”.

“Pastaj zhdukjes me forcë të njerëzve. Kemi një mijë e 600 persona të pagjetur”.

“Megjithatë Kosova është tregim i suksesshëm i luftës çlirimtare të popullit dhe punës së madhe që është bërë me njërën anë, por po ashtu ndihmës nga BE dhe ShBA-ja. Jemi shumë mirënjohës që Perëndimi demokratik na ka ofruar gjithë këtë mbështetje për gjithë këto vite”.

Kurti i numëroi sukseset e Kosovës duke folur për rritjen e Kosovës në ekonomi, inkasimin e tatimeve, rritjen e lirisë së shtypit, bashkërendimin me BE-në në dënimin e luftës në Ukrainë e me radhë.

“Neve na duhet ndihma nga Be-ja dhe e konsiderojmë që Bashkimi Evropian është procesi më i rëndësishëm historik dhe projekti politik i prosperitetit dhe paqes që nga Lufta e Dytë Botërore që duhet ta ruajmë dhe zhvillojmë”.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq deklaroi në këtë panel se shteti që ai drejton, mund të jetë mes vendeve të para që do t’i bashkohet BE-së, bazuar në kapitujt që po hapë dhe po diskuton.

“Por problem kryesor është BE-ja ka shumë pak entuziazëm për integrim të Ballkanit perëndimor”, tha Gjuklanoviq.

Sipas tij, kjo reflekton edhe më shumë në rënien e interesimit dhe entuziazmin për integrim në vendet e Ballkanit perëndimor.

“Ata na akuzojnë ne, dhe janë palët e treta që fitojnë në këtë rast. Këto palë përdorin këtë hapësirë”.

Gjukanoviq u shpreh se Rusia nuk synon të destabilizojë Ballkanin perëndimor, por përmes tij, synon ta destabilizojë BE-në.

“Rusia do që ta ndalojë Ukrainën të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE”.

Ai tha se si rezultat I vëmendjes më të vogël të BE-së për Ballkanin perëndimor, atëherë ka edhe luftë hibride të Rusisë në rajon.

“Prandaj kemi edhe përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi”, rikujtoi ai.

Sa për iniciativën për “Ballkanin e Hapur”, dhe mosmarrëveshjet mes tij dhe kryeministrit Dritan Abazoviq, presidenti malazez dhe se vendi i tij është demokratik.

“Mund të kemi qëndrime të ndryshme mes presidentit, qeverisë e Kuvendit, por ajo që nuk ndryshon është integrimi në BE”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, doli për bllokimin vendit të tij në procesin e integrimeve.

Ai u pyet se si ndihet si kryeministër që drejton vendin i cili ka marrë premtime false viteve të fundit për integrim në BE. Për më tepër, si një shtet që ka statusin e vendit kandidat më së gjati për integrim, madje edhe më gjatë sesa Turqia.

“Kur e shikoni nga perspektiva jonë, kemi 17 vjet si vend kandidat. Integrimi supozohej të ishte në baza të meritës”, tha Kovaçevski.

“Kemi pjesën më të madhe të ligjeve në harmoni me ato të BE-së”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, nëse shikohet Maqedonia e veriut dhe krahasohet me ato që kanë filluar bisedimet për integrim, atëherë rezulton se në shumë aspekte, Shkupi zyrtar qëndron më mirë.

“Ky proces është bërë politik, nga ai teknik që do të duhej të ishte. Kemi mbërritur që një vend ka bllokuar një vend tjetër”, tha kreu i qeverisë maqedonase.

“Për Maqedoninë e Veriut, i gjithë procesi i integrimeve është qartësisht çështje politike”.

“Megjithatë, tani kemi një moment të ri politik”.

Përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, iu dha fjala të parit në këtë panel.

Ai tha se integrimi i Ballkanit perëndimor ka qenë në agjendë të BE-së për një kohë të gjatë, por megjithatë, viteve të fundit konfirmoi se ky inetersim ka pësuar rënie.

Ai tha se ka qenë një konsensus në BE se Ballkani perëndimor është mirë dhe se paraprakisht duhet rregulluar disa çështje brenda unionit.

“Prandaj edhe interesimi për integrim nga vetë vendet e Ballkanit perëndimor ka rënë në pesë vitet e fundit”, tha Lajçak.

Lajçak tha se megjithatë, tani situate ka ndryshuar dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka ndryshuar gjithçka.

“E gjithë ajo tragjedi në Ukrainë është lajm i mirë për Ballkanin perëndimor sepse të gjithë e kuptojnë se integrimi nuk ka të bëjë me çështje teknike, pasi rajoni janë duhet të bëhet pjesë e BE-së”, tha Lajçak.

“Çka dua të kërkoj nga partnerët në Ballkan është të na ndihmojnë që edhe t’i ndihmojmë është integrimi”.

Kurti në forumin “Globsec” në Sllovaki

“Tani ose kurrë: Zhbllokimi i të ardhmes evropiane për Ballkanin perëndimor”. Kjo është tema mbi të cilën do të diskutojë sot paneli i përbërë nga katër zyrtarë të lartë shtetesh në Bratislavë të Sllovakisë.

Mes 100 ftuarish që diskutojnë tema të ndryshme në “Globsec 2022”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të paraqitet në panel me bashkë me Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor.