Kurti demanton Hillin: Është e pavërtetë që njëra palë kishte propozime e ishte e gatshme për kompromise

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka demantuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, pasi ky i fundit tha se ishte Serbia që tentoi të ishte fleksibile dhe për të gjetur zgjidhje.

Në fjalën e tij, Kurti tha se katër propozimet për marrëveshjen për dokumentet e hyrje-daljeve i dha Bashkimit Evropian e jo Serbia, teksa shtoi se pala serbe në një moment doli nga ndërtesa.

“Në Bruksel nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete të palës serbe. Në rastin më të mirë mund të thuhet se ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshjeve ekzistuese”.

“Deklaratat se ka pasur propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për diskutime në këtë drejtim, por nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, u shpreh Kurti, njofton Klankosova.tv.

Ai tutje tha se dokumenti për hyrje-dalje është veç një fletë A4 pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre sic po manipulohet artificialisht.