Kurti: Astrit Deharin e mbytën në qelinë A-3, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim

Lideri i VV’së, Albin Kurti,ka kujtuar aktivistin e vdekur të VV’së, Astrit Dehari, në një status të gjatë në Facebook.
Kurti ka thënë se Dehari është mbytur ndërsa ka shtuar se ai nuk ka pasur aktakuzë dhe nuk është gjykuar e as dënuar për mbajtjen e tij 68 ditë në burg.

“Astrit Dehari ishte i paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim dhe për 68 ditë në burg nuk u mor fare në pyetje. Megjithëkëto, në qelinë A-3 të burgut të Prizrenit, e mbytën. Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur e vranë, këtu e katër vjet më parë. Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i pari pati thënë që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.”, ka shkruar ai.