Kurti: Akuzat për terrorizëm kundër tre policëve mesa duket janë hedhur poshtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se, mesa duket, prokurori serb i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë, por nuk dha detaje të tjera.

Më herët, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se tre policët, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, po merren në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë.

Por, Prokuroria e Kralevës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë akuzash rëndojnë mbi ta.

Qeveria e Kosovës e konsideron arrestimin e tyre si “rrëmbim” në territorin e saj.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

 

Autoritetet në Serbi duhet të vendosin gjatë së premtes për trajtimin e mëtjemë të rastit të tre policëve, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.

Ky është afati ligjor brenda të cilit Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masë paraburgimi dhe, më pas, gjyqtari ta marrë vendimin.

Nëse nuk merret masa e paraburgimit, policët e arrestuar duhet të lirohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre./REL

*Ky lajm është duke u përditësuar.