Kurdët iranianë vëzhgojnë e presin teksa SHBA-ja dhe Izraeli luftojnë kundër Iranit

Pasi fillimisht shprehu mbështetje, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tani thotë se nuk dëshiron që kurdët e Iranit të përfshihen në fushatën ushtarake kundër Teheranit, të paktën jo tani për tani. Megjithatë, një grup kurdësh në mërgim po “përgatitet për luftë” për çdo rast, sipas një fotografi që vizitoi një nga bastionet e kurdëve iranianë.

Fotoreporteri Sedat Suna arriti të hyjë më 12 mars në një bazë malore të Komala, Fraksioni Reformist i një entiteti politik të armatosur i kurdëve iranianë në rajonin verilindor të Irakut, i cili së fundmi ka qenë në shënjestër të sulmeve me dronë nga Irani.

Ndërtesat e shkatërruara të një grupi kurd iranian në rajonin e Kurdistanit, të cilat thuhet se u goditën nga një dron iranian në fillim të marsit.
Ndërtesat e shkatërruara të një grupi kurd iranian në rajonin e Kurdistanit, të cilat thuhet se u goditën nga një dron iranian në fillim të marsit.

Ky grup i armatosur është pjesë e një aleance të disa partive politike kurde iraniane, që u formua pak para nisjes së fushatës ushtarake SHBA-Izrael më 28 shkurt.

Ai synon krijimin e një rajoni vetëqeverisës brenda Iranit, i ngjashëm me Rajonin gjysmautonom të Kurdistanit në Irak.

“Ata e shohin [luftën] si një mundësi”, tha fotografi për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se luftëtarët këmbëngulnin se nuk po presin “dritën jeshile” nga Shtetet e Bashkuara për t’u përfshirë në konflikt në Iran.

“Ata thonë se mund t’i marrin vendimet e tyre”, shtroi ai.

Një zëdhënës i partisë Komala ka premtuar se luftëtarët do ta “nisin çlirimin” në rajonin kurd të Iranit, me kusht që Shtetet e Bashkuara të premtojnë mbështetje.

Një anëtar i Organizatës së Punëtorëve të Kurdistanit bën roje kundër sulmeve me dronë në një bazë në malet e provincës Erbil në verilindje të Irakut, më 12 mars.
Një anëtar i Organizatës së Punëtorëve të Kurdistanit bën roje kundër sulmeve me dronë në një bazë në malet e provincës Erbil në verilindje të Irakut, më 12 mars.

Kurdët janë një grup etnik prej rreth 30–40 milionë njerëzish që jetojnë kryesisht në zona malore që shtrihen në pjesë të Iranit, Irakut, Sirisë dhe Turqisë.

Ky grup, kryesisht mysliman sunit, është një nga etnitë më të mëdha në botë që nuk ka shtet të vetin.

Kurdët iranianë jetojnë kryesisht përgjatë kufirit perëndimor të vendit dhe përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Iranit prej rreth 92 milionë banorësh.

Marrëdhëniet e kurdëve me Teheranin kanë mbetur të tensionuara qysh pas Revolucioni Islamik të Iranit në vitin 1979, kur udhëheqësit e rinj të vendit nisën vrasje masive ndaj kurdëve, të cilët konsideroheshin si kërcënim për integritetin territorial të Iranit.

Një luftëtare kurde iraniane e fotografuar në një tunel në Irak, pranë kufirit me Iranin, më 8 mars.
Një luftëtare kurde iraniane e fotografuar në një tunel në Irak, pranë kufirit me Iranin, më 8 mars.

Sot, vëzhguesit thonë se ka ndërlikime të mëdha lidhur me përfshirjen e mundshme të kurdëve në luftën e tanishme në Iran.

Kamran Matin, ekspert për Iranin në Universitetin Sussex, thotë se grupet kurde iraniane në mërgim gëzojnë mbështetje të gjerë brenda rajonit kurd të Iranit, por ai beson se vetëm një sërë kushtesh specifike do të hapnin rrugën që kurdët iranianë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, të hynin hapur në luftë kundër republikës islamike.

Fshati Palangan, një fshat në rajonin kurd të Iranit perëndimor.
Fshati Palangan, një fshat në rajonin kurd të Iranit perëndimor.

Së pari, sipas tij, forcat e regjimit iranian duhet të dobësohen ndjeshëm në Kurdistanin iranian. Për më tepër, grupet kurde do të kishin nevojë për një “zotim të qartë nga SHBA-ja për mbështetje afatgjatë ushtarake dhe politike, në formën e vendosjes së një zone ndalim-fluturimi mbi Kurdistanin iranian”.

Gjithashtu, ai thotë se do të duhej një premtim nga SHBA për mbështetje të të drejtave të kurdëve në Iran në të ardhmën.

Një shkallë e tillë angazhimi nga SHBA-ja duket e pamundur për momentin.

Mes raportimeve se CIA po armatoste grupe kurde në Irakun fqinj, Trump deklaroi më 5 mars se do të ishte “plotësisht dakord” nëse kurdët iranianë do të nisnin një kryengritje.

Më vonë ai e tërhoqi këtë deklaratë, duke u thënë gazetarëve se kishte përjashtuar përfshirjen e kurdëve, duke shtuar: “Nuk duam ta bëjmë luftën më komplekse se ç’është tashmë”.

Fotografi Suna thotë se mes luftëtarëve që ai vizitoi ekziston një ndjenjë e madhe simpatie për Shtetet e Bashkuara, madje disa prej tyre mbanin flamuj amerikanë në uniformat e tyre.

Një militant kurd në një bazë malore në Irakun verilindor më 12 mars.
Një militant kurd në një bazë malore në Irakun verilindor më 12 mars.

Në Kurdistanin irakian, autoritetet kanë përjashtuar idenë që kurdët e Irakut të përfshihen në luftën në Iran.

Qubad Talabani, zëvendëskryeministër i Rajonit të Kurdistanit në Irak, u tha së fundmi gazetarëve: “Ne nuk jemi armë me qira”.

Në një mesazh që duket se u drejtohet grupeve militante kurde iraniane në Irak, qeveria rajonale e Kurdistanit ka deklaruar gjithashtu se “territori i Irakut nuk duhet të përdoret si pikënisje për sulme kundër vendeve fqinje”.

Nga ana e tij, Teherani ka kërcënuar se nëse ka ndonjë inkursion nga luftëtarët kurdë nga territori irakian, “të gjitha objektet e Rajonit të Kurdistanit të Irakut… do të jenë cak i sulmeve”./REL