Kancelari austriak, Sebastian Kurc është i kënaqur nga epilogu i Samitit të BE-së për buxhetin disavjeçar të Unionit dhe fondit për ripërtëritje nga kriza me koronavirusin, që ai e vlerëson si rezultat të mirë për BE-në dhe Austrinë.
“Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur nga përmbajtja e marrëveshjes. Arritëm rezultat të mirë për BE-në dhe rezultat të mirë për Austrinë”, theksoi Kurc.
Ai shtoi se është arritur marrëveshje për kornizën financiare edhe për “reagimin adekuat ndaj krizës me koronavirusin”.
Austria dhe “vendet kursimtare” (Holanda, Suedia dhe Danimarka) erdhën në konflikt me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emanuel Makron, të cilët kërkonin më shumë para, pa kushte, për vendet anëtare të cilat janë të goditura rëndë nga kriza aktuale.
Kurc thotë se bashkëpunimi i fuqishëm i “shteteve kursimtare” çoi deri te përmbushja e kërkesave të tyre të shumta.
Kurc sqaroi se është arritur marrëveshje që mjetet nga Fondi fillimisht të shfrytëzohen për investime në mbrojtjen e mjedisit jetësor, digjitalizim dhe reforma.
“Është siguruar edhe kontroll ndaj shfrytëzimit të mjeteve pas shumë mekanizmave të fuqishëm. Në rast të dyshimit për përdorim të parregullt, pagesatmenjëherë mund të ndërpriten”, tha Kurc.
Liderët e BE-së, pas negociatave disaditore maratonike, sot herët në mëngjes arritën marrëveshjen për buxhetin e përbashkët disavjeçar dhe fondin për rikuperim.