“Kur Vesa Luma këndon, Prishtina dëgjon” – koncerti recital rikthen shpirtin artistik të këngëtares në vendlindje

Në një mbrëmje ku emocionet fluturonin lart dhe çdo notë muzikore zgjonte kujtime të paharrueshme, Vesa Luma u rikthye në skenën e Prishtinës, aty ku zemra e saj artistike rreh më fort. Salla “Klan Arena” u shndërrua në një oazë harmonie, ku zëri magjepsës i saj preku çdo shpirt, duke lidhur të shkuarën dhe të ardhmen me një fill të artë melodish.

Ishte një natë që nuk fliste vetëm për muzikë, por për një dashuri të sinqertë mes një artisteje dhe publikut të saj – një histori që nuk e ka humbur kurrë ngrohtësinë, pavarësisht viteve dhe distancës. Të gjithë ata që ishin aty, nga fansat besnikë deri te figurat e njohura, ndanë një përjetim të paharrueshëm të rikthimit triumfues të Vesës në vendlindjen e saj.

Pjesë e këtij eventi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili iu bashkua publikut për të shijuar recitalin e këngëtares prishtinase.

Vesa Luma (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Telegrafi ishte i pranishëm gjatë koncertit dhe pati mundësinë të intervistojë disa nga të ftuarit.

Një rikthim që preku zemrat e publikut

Vesa Luma (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Pas përfundimit të koncertit, Vesa Luma ndau emocionet e saj me Telegrafi, duke përshkruar ndjesinë e të qenit pranë publikut pas një periudhe të gjatë.

“Jam shumë e lumtur që i kam parë njerëzit që gjithmonë më kanë mbështetur. Ndihem ende e emocionuar dhe me shumë energji nga kjo natë. Shpresoj që publiku është kënaqur po aq sa unë,” tha ajo.

Vesa Luma (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ajo shpjegoi se vendimi për të realizuar dy recitale – një në Tiranë dhe një në Prishtinë – ishte një mënyrë për t’u rikthyer tek rrënjët e saj dhe për të rifituar lidhjen me publikun.

“Tirana dhe Prishtina janë dy kryeqytetet e shqiptarëve që më kanë ngritur artistikisht. E ndjeva si detyrim të rikthehesha me këto koncerte për të parë a janë këngët e mia ende të dashura nga publiku. Nuk doja të prodhoja këngë të reja pa e ndjerë këtë lidhje,” u shpreh ajo.

Publiku dhe kolegët për Vesën

Kryeministri Kurti, Vesa Luma dhe Big Basta dhe djali i tyre, Liani (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Në sallën e mbushur plot ishin të pranishëm shumë figura të njohura, të cilët ndanë përshtypjet e tyre për këtë ngjarje unike.

“Patjetër shumë emocione. Hitet e saj janë kënduar gjithmonë nga publiku, sepse është Vesa Luma,” tha këngëtarja Vesa Smolica.

Vesa Smolica (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Këngëtari Genc Prelvukaj vlerësoi dedikimin e Vesës ndaj muzikës. “Vesa është këngëtare e madhe. Respektohet për kulturën e jashtëzakonshme që ka dhe për seriozitetin në punë. Jam i bindur që publiku u kënaq sonte”, tha ai.

Bashkëshortja e tij, këngëtarja Eni Koçi, shtoi: “Kam ardhur për qejf dhe do ta shijoj në maksimum. Vesa gjithmonë sjell diçka të veçantë”.

Genc Prelvukaj dhe Eni Koçi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Edhe politikani Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij Anita Muçaj Haradinaj nuk kursyen fjalët e mira për këngëtaren prishtinase.

“Vesa ka një vokal të jashtëzakonshëm dhe koncerti i saj ishte një rikthim i madh. Muzika e saj ka qenë pjesë e rritjes sonë”, tha Anita.

Anita dhe Ramush Haradinaj (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

“E kam ndjekur Vesën disa herë dhe gjithmonë më ka pëlqyer. Ajo ka një zë unik dhe një stil që gjithmonë e diferencon,” shtoi Haradinaj.

Një natë për t’u mbajtur mend

Vesa Luma (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Vesa tregoi gjithashtu përkushtimin e saj ndaj muzikës, duke përmendur se rikthimi nga Zelanda e Re nuk ishte një vendim i lehtë. “Kur u ktheva nga Zelanda, vendosa që nuk do të prodhoj këngë të reja pa u rikthyer te publiku. Dua të ndiej energjinë e tyre dhe të kuptoj nëse këngët e mia ende prekin zemrat e njerëzve”, tha ajo.

Këngëtarja ndau edhe një mesazh të fuqishëm për muzikën shqiptare dhe talentet e reja. “Dëgjoni muzikë shqiptare dhe përkrahni artistët tanë. Kemi këngë të jashtëzakonshme dhe talente të reja që meritojnë mbështetje”, theksoi ajo.

Vesa Luma (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Recitali i Vesës në Prishtinë nuk ishte vetëm një rikthim, por edhe një festë e artit dhe kulturës shqiptare. Publiku u largua nga salla me një ndjenjë të plotë kënaqësie dhe mirënjohjeje për këtë artiste, e cila vazhdon të lërë gjurmë në skenën muzikore.

Me një performancë që preku zemrat e të gjithëve, Vesa Luma dëshmoi edhe një herë që është një prej zërave më të dashur dhe të respektuar në muzikën shqiptare. /Telegrafi/