Kur shqiptarët heshtin, taktizimet kalojnë. Kur reagojnë, pushteti tërhiqet!

Fejzi HAJDARI
Një paralele, një tabelë, një konkurs pune… dhe e njëjta pyetje: Ku është politika shqiptare kur shqiptarët duhet të mbrohen?

Le ta themi pa doreza: çështja e paraleles shqipe në shkollën “Petar Zdravkovski – Penko” nuk është thjesht një histori shkolle. Është një tjetër episod që hap një pyetje shumë më të madhe: deri ku shkon pushteti kur mendon se askush nuk do të reagojë?

Dhe, akoma më e rëndësishme: sa larg do të shkonte ky “taktizim” po të mos kishte reaguar publiku shqiptar?

Për shkak se sot mund të thuhet se nuk ka pasur vendim për mbylljen e paraleles shqipe. Mund të thuhet se bëhej fjalë për rajonizim, për numër nxënësish, për riorganizim dhe për zbatim të ligjit.

Mirë.

Por mbetet një fakt politik që nuk mund të fshihet pas asnjë formule administrative: pas reagimit të shqiptarëve, pati tërheqje dhe sqarim. Dhe kjo është ajo që duhet të na interesojë.

Jo vetëm çfarë thuhet në komunikata, por çfarë ndodh pasi shqiptarët reagojnë, sepse në këtë vend kemi parë mjaftueshëm raste kur vendimet, dokumentet, tabelat, institucionet dhe procedurat na serviren si “teknike”, ndërkohë që në praktikë shqiptarët përballen me një realitet krejt tjetër.

Sot është paralelja. Nesër është tabela. Pasnesër është konkursi i punës. Pra, problemi nuk fillon dhe nuk mbaron te një shkollë.
Sa herë është harruar shqipja në tabelat dhe shenjat zyrtare?

Sa herë është përdorur shqipja në mënyrë të mangët, të cunguar ose vetëm sa për të përmbushur formalisht një detyrim?

Sa institucione ende nuk e trajtojnë gjuhën shqipe me atë seriozitet që kërkon ligji?

Dhe pastaj vjen një plagë edhe më e madhe: përfaqësimi proporcional në institucionet publike.

Nëse shqiptarëve u thuhet se janë pjesë e barabartë e shtetit, atëherë pse barazia shpesh përfundon në deklarata, ndërsa kur vjen puna te punësimet, pozitat dhe vendimmarrja, gjithçka bëhet papritur “procedurë”, “konkurs”, “nevojë institucionale” apo “numërim statistikash”?

Kjo nuk është pyetje e vogël. Është pyetja e gjithë sistemit, sepse barazia nuk matet me atë se sa bukur shkruhet në ligj. Barazia matet me atë se sa realisht zbatohet.
Dhe këtu politika shqiptare ka një problem të madh.

Një problem që nuk mund të fshihet më, sepse është e pamundur që përfaqësuesit shqiptarë të jenë pjesë e qeverisë dhe të sillen sikur janë mysafirë në të.

Nuk mund të jesh pjesë e pushtetit vetëm kur shpërndahen funksionet, kur ndahen drejtoritë, kur votohet buxheti apo kur dalin fotografitë e koalicionit.

Pjesë e qeverisë je edhe kur duhet të thuash JO.
Madje sidomos atëherë.

Për shkak se nëse një vendim apo “taktizim” prek interesat e shqiptarëve dhe përfaqësuesi shqiptar hesht, atëherë nuk mjafton më justifikimi:
“Ne nuk kemi qenë të informuar, do ta shqyrtojmë, do të kërkojmë sqarim, do të shohim se çfarë ka ndodhur.” Jo!

Ju jeni në qeveri pikërisht për të ditur çfarë po ndodh. Nëse nuk e dini, problemi është paaftësia.
Nëse e dini dhe heshtni, problemi është edhe më i madh, sepse çfarë është pushteti pa vendimmarrje? Një karrige.

Dhe shqiptarët nuk kanë nevojë për karrige shqiptare në qeveri. Kanë nevojë për fuqi shqiptare në vendimmarrje. Kjo është diferenca.

Një ministër shqiptar që nuk mund të parandalojë një padrejtësi ndaj shqiptarëve është thjesht një ministër me mbiemër shqiptar.
Një deputet që voton gjithçka dhe pyet më pas pse ndodhi, është numër.

Dhe një parti shqiptare që zgjohet vetëm pasi qytetarët shpërthejnë në reagime, nuk është faktor politik.
Është pasqyrë e reagimit qytetar. Kjo histori tregoi edhe diçka tjetër: shqiptarët nuk janë pa zë.

Për vite me radhë është kultivuar ideja se çdo gjë mund të kalojë.
Një tabelë pa shqip.
Një institucion që nuk e zbaton gjuhën shqipe siç duhet.
Një konkurs ku përfaqësimi proporcional vihet në pikëpyetje.
Një vendim administrativ që prek arsimin shqip.

Dhe gjithmonë gjendet një shpjegim. Një nen. Një procedurë. Një interpretim. Një “keqkuptim”. Një “gabim teknik”. Një “riorganizim”…

Por këtë herë ndodhi diçka tjetër: shqiptarët reaguan. Dhe kur reaguan, pushteti u detyrua të flasë.
Kjo duhet të jetë mësimi. Jo se duhet të protestojmë për çdo gjë. Por se asnjë e drejtë nuk duhet marrë si e garantuar vetëm sepse është shkruar në ligj.

Të drejtat mbrohen duke i kërkuar zbatimin e tyre.
Prandaj, mos e quani këtë vetëm “çështje shkolle”. Sepse nesër mund të jetë një institucion.
Pasnesër një konkurs.
Më tej një tabelë.
Pastaj një vendim tjetër.
Dhe çdo herë do të na thuhet:
“Mos u shqetësoni, nuk ka asgjë.”
Deri sa një ditë të kuptojmë se gjithçka është bërë pjesë e normales.
Kjo është ajo që duhet të parandalohet, sepse diskriminimi nuk fillon gjithmonë me një vendim të madh.

Ndonjëherë fillon me një tabelë. Me një dokument. Me një klasë. Me një konkurs pune. Me një “gabim teknik”. Me një “procedurë”.
Dhe pikërisht për këtë arsye duhet reaguar në kohë.
Ndërsa politika shqiptare duhet të dalë nga gjumi.
Nuk mjafton të jetë pjesë e qeverisë.
Duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Nuk mjafton të mbrojë shqiptarët në konferenca për shtyp.
Duhet t’i mbrojë brenda mbledhjeve ku merren vendimet.
Nuk mjafton të reagojë pasi shpërthen revolta.
Duhet ta parandalojë problemin para se të bëhet revoltë.

Për shkak se nëse një qeveri mund të testojë kufijtë me shqiptarët dhe përfaqësuesit shqiptarë vetëm shikojnë, atëherë kemi një problem serioz.
Dhe pyetja nuk mund të shmanget më:

Pse janë shqiptarët në qeveri? Për çfarë janë aty? Për të qeverisur?

Apo vetëm për të numëruar votat që i duhen dikujt tjetër për të qeverisur?
Nëse janë aty për të qeverisur, atëherë le të qeverisin.
Nëse janë aty për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, atëherë le t’i mbrojnë para se shqiptarët të detyrohen t’i mbrojnë vetë.
Sepse një qeveri ku shqiptarët janë vetëm dekor politik nuk është përfaqësim.
Është fasadë.
Dhe shqiptarët nuk kanë nevojë për fasadë.

Kanë nevojë për zë, fuqi, përgjegjësi dhe rezultat.
Në fund, le ta lexojmë drejt këtë tërheqje.
Ndoshta ishte vërtet vetëm një procedurë administrative.
Ndoshta ishte riorganizim. Ndoshta ishte rajonizim. Ndoshta ishte matje pulsi. Ndoshta ishte një kombinim i të gjithave.

Por një gjë është e sigurt: reagimi publik e ndryshoi mënyrën se si u trajtua çështja.
Dhe kjo duhet t’u shërbejë si paralajmërim të gjithëve:
Mos e provoni heshtjen e shqiptarëve. Mos e matni durimin e tyre. Mos e trajtoni gjuhën shqipe si dekor. Mos e trajtoni përfaqësimin proporcional si statistikë që manipulohet sipas interesit.

Së fundmi: Mos mendoni se shqiptarët nuk do të reagojnë, sepse këtë herë reaguan.
Dhe taktizimi u tërhoq.
Prandaj, ndoshta pyetja e vërtetë nuk është vetëm: Pse u tërhoq vendimi?

Pyetja është: Çfarë do të kishit bërë sikur shqiptarët të mos reagonin?

Dhe kjo është pyetja që politika shqiptare duhet t’ia bëjë vetes para se t’ia bëjë dikush tjetër.
Sepse nëse shqiptarët duhet të dalin çdo herë për të mbrojtur të drejtat e tyre, ndërsa përfaqësuesit e tyre janë ulur brenda qeverisë, atëherë diçka është kthyer përmbys:

Qytetarët po bëjnë punën e pushtetit.

Dhe kjo nuk është fitore e politikës shqiptare.

Është aktakuzë ndaj saj.