Kimete Berisha
Tregimi për Qerimen!
Po flas kah del shpirti. Unë e urrej mentalitetin shqiptar, neveritem aq shumë, deri në asht neveritem prej këtij mentaliteti, me botëkuptimet primitive mbi jetën, mbi martesën, mbi pabesinë, mbi besnikërinë, mbi pavarësinë, mbi lirinë, beqarinë, shkurorëzimin, braktisjen, trashëgiminë, gjininë dhe mbi vdekjen.
Jam e lindur në muajin Maj.
Në oborrin e shtëpisë në Lagjes ‘Tavnik’ të Mitrovicës. E trashë, 6 kilogram, e mbështjellur me atë këmishën…’Hajt tash ec vazhdoje jetën’.
Më kanë treguar se atë të shtune pranvere gati të gjithë kanë qarë, sepse kam qenë vajzë (pa fajin tim), pa lejen time, pa vetëdijen time.
U gjenda aty ku jam sot, të plotësoj dëshirat, mungesat dhe zbrazëtitë e njerëzve ende pa i njohur.
I kanë fshirë lotët, kur autori i emrit tim, gjyshi im, ua ka ndaluar grave të qajnë (se mos m’i ndalu gratë, ato s’ndalen 😂).
Gjyshi ka qenë pleqnar, ka qenë i mençur por i ‘shtirë. Emrin tim e ka ‘gjetur’ në një rast kur ka shkuar në komunën e Mitrovicës.
Aty e ka takuar një nënpunëse të zonjën dhe të bukur, dhe prej atëherë unë e bart një emër që i ka pëlqyer gjyshit tim.
Deri këtu, nuk jam pyetur për asgjë.
Më kanë thënë: Laj, fshijë, shkollohu, bëhu e zonja e vetes,?se i nxjerr sytë e t’u.
Dhe më kanë krahasur. S’ka gjë më shkatërruese sesa kur të krahasojnë.
Sepse njeri i suksesshëm për mua është njeriu i qetë, që është në paqe me veten, dhe që beson, e jo njeriu që ka gjithçka përveç paqe.
Të krahasojnë krejt jetën. Shembull: Mihanja e kish marrë 5-she e ti 4-she. S’po të vjen inat’.
Do të thotë, gjithmonë e gjejnë me ta vë përpara dikë që është më i zoti se ti, dhe kështu ti përgjithmonë mbetesh prapa dikujt, që ka ditur më mirë se ti, që u çu më herët se ti m’i kry punët e shpisë dhe që u martu para teje.
Ndoshta se më ‘organizuan’ pritje me lotë, anipse jam lindur në 5 të mëngjesit, gjithmonë (deri vonë) në perendim të diellit kam pasur dëshirë të qaj. Tamam si Hygo që flet për melankolinë.
Kur ka filluar të perendoj dielli, vetvetiu, pa asnjë arsye kam qarë çdo natë. Meqenëse të githë e kanë ditur kur vjen ‘ora e vajit’, i kanë lënë të gjitha punët, për të më mashtruar me premtime dhe më kanë pritur derisa të shfryhem më heshtje (u dasht m’i maltretu edhe më shumë, me ua plas zemrën 😂).
Pastaj, prej atëherë deri tash, më ka mbetur ai rrémi, sikur askush nuk më do bash-bash qysh dua unë, me hakikat…A po m’kuptoni!
Gati krejt meshkujt që i njihja më dukeshin më të ‘vegjël’ se unë. Më kurrkushi se unë.
Në moshën 15 vjeçare hyra për herë të parë në debate më njerëz të ‘mëdhenj’, me burra.
Tema e parë ka qenë barazia gjinore.
Sepse, gjithmonë burrat kanë folë për politikë, për punë, për të ardhmen…kurse vajzat, nuset dhe gratë gjithmonë kanë punuar çeiz dhe janë ankuar: në vjehrra, në njerka, në burra, në jetën e vështirë, dhe kështu duke u ankuar, janë adaptuar në padrejtësi.
Asnjëra grua që kam njohur në fëmijëri, nuk ka kërkuar Liri, të gjitha kanë kërkuar Mbijetesë.
Kur s’je i lirë, duhet të bëhesh strateg për të mbijetuar. Për t’u bërë strateg, duhet t’i përvetësosh disa taktika.
Të bëhesh perfid.
Taktika e parë është ‘shtirja’, të bësh si dikush që s’je, ta fshehësh qëllimin, dhe të jetosh në frikë të përhershme, mos të zbulojnë kush je.
Ti pret aq gjatë të ndryshojë ‘pushtuesi’ yt, sa që dikur harron edhe vet kush je, çka do, dhe ç’është kjo varësi e tmerrshme ndaj atij që të ka ‘pushtuar’.
Liria të lë të vetmuar.
Liria ta merr shpirtin, por nuk të lejon të dashurohesh në pushtuesin tënd.
Isha pak tip narcis (e kisha veten në qejf, s’rrej, e shikoja veten në xhamat e dyqaneve kah ecja, edhe sot më ndodh).
Dhe një ditë gjimnazi e dëgjova një rrëfim të bukur. Rrëfimin për Qerimen.
Qerimja ishte një nuse e martuar (pa dëshirën e saj) në një fshat të thellë të Drenicës.
Ishte e palumtur, e pakënaqur, e trishtuar, por ishte shpirtmadhe sikur që nënkupton emri i saj, në shpirt ishte e Lirë.
E mërzitur me rolin që duhej ta aktronte, të bënte sikur e dashuronte njeriun që nuk e kishte zgjedhur, një ditë, pas tre muajve martesë, kishte pritur derisa terri t’i binte tokës, dhe të ikte nga shtëpia e burrit.
I mori zhelet e saj në një çantë konopi dhe e mori malin. Mal pas mali, fushë pas fushe, arë më arë e shpi më shpi, pas tre ditë e tre netëve Qerimja mbërrin në shtëpinë e prindërve.
U tregon atyre se ka ikur nga burri (që ja kanë gjetur) sepse zemra e saj e dashuron një tjetër.
Dhe se s’ka Zot që e kthen mbrapsht.
Guximi është magjik. Është ngjitës. (E sheh Qerimja-Qerimen, dhe ikë prej shpije jo po prej trishtimi’!
Qerimja e bën të veten. Nëse s’do të dinte ta gjente lumturinë, Qerimja së paku diti t’i ikë trishtimit.
Guximi i Qerimes më ka ra në mend sa herë jam ndjerë e pafuqishme dhe e mbështetur për muri.
Nëse Qerimja, e pashkolluar, e papunë, e varur dhe e paragjykuar ka guxuar ta marrë malin, çka kam unë që s’ja ‘thyej’ hundën gjithkujt që ma prenë udhën.
Se, dashuria është ndjenja më e vjetër, më e marrë dhe më ‘primitive’ se secila dije dhe secila shkollë, prandaj ndjenjat neve na bëjnë kështu si jemi ‘të egër, por të thyeshëm dhe të brishtë’.
Liria e gruas shqiptare ka çadër.
I pëlqen një liri me çadër.
Liria që e sjell (ose që e ruan) burri.
Sepse, liria e plotë ‘besohet’ se është Vetmi, është e ftohtë, dhe Lirinë e plotë nuk ke me kë e ndanë.
Burri s’deshi asnjëherë ta ndante Lirinë e Tij me askend, e gruaja po, gjithmonë e do burrin më shumë se Lirinë.
Kështu, gjeneratë pas gjenerate, mot pas moti, në vend se gruaja të luftojë mbretërinë e burrave, bëri luftë kundër vetvetes.
U përcoll dhe u trashëgua neveria dhe antipatia e vjehrrave, e njerkave, xhelozia e kunatave, si ‘diçka që nënkuptohet”. Ka mjaftuar një vjehërr me qenë e keqe, për t’u shpallur apriori çdo vjehërr e keqe.
Është për t’u studiuar se si dashuria nuk intelektualizohet kurrë dhe se si nusja kur bëhet vjehërr, sillet si nuse.
Dashuria është frut i papjekur, që nuk konsumohet.
(Vjehrra dhe njerka shqiptare kanë reputacion shumë të keq në shoqëri.
Dhe s’di a kanë shans të ndryshojnë ‘fatin’ e tyre ndonjëherë).
Edhe pleqnari dhe ndërmjetësuesi në pajtimin dhe ndarjen e çifteve nga Llapi tha se arsyeja kryesore e ndarjeve mes çifteve janë vjehrrat.
Askush nuk e drejton gishtin kah vjehrri.
Pra, lufta e gruas për mbijetesë është e tmerrshme, dhe gjithmonë fiton burri.
Gjithmonë kam kujtuar (dhe s’ka kush që ma ndryshon bindjen) se njeriu me inteligjencë mesatare, edhe dashurinë e ka mesatare.
Sa më i thellë njeriu, edhe dashuria më e thellë.
Se, s’mund të jetë dashuria e Carlos Kastanedës e thellë sa e Romy Schneider për Alen Delon.
S’ka shans.
A priori, djali shqiptar mes nuses dhe nanës, ndjehet sikur duhet ta duaj nanën më shumë, se s’ka kuptim, marre, e përqeshin, thonë ky u ba budallë mbas nuses.
Për t’u treguar se nuk është budallë, ai nuk i dorëzohet dashurisë.
E dashuria çka është përveç ‘flamur i bardhë’, se pa u dorëzuar s’ke si dashuron.
Sikur nuk Ishte e pamjaftueshme jeta prozaike, bukolike, e varfër, e mbytur, e mbyllur dhe në rivalitete falls mes gjeneratave dhe roleve të tmerrshme nanë-njerkë, nanë-vjehërr, nanë-kunatë,…por u desht që urrejtja dhe lufta mes grave të jetësohet edhe në këngët e folklorit.
Çdo shtëpi shqiptare është një teatër (ku aktrohet jeta), prandaj shqiptarët s’kanë nevojë për Teatër.
Krejt njerëzit i lind Nana, prandaj edhe krejt problemet sillen rreth Nanës, dhe ajo duket si autore e jetës.
E autori gjithmonë është fajtor.
Kënga shqiptare që tregon më së miri për pozitën e keqe të djemve është kënga arrogante ‘Kallma cigaren’:
‘Me ma idhnu nanën, guhën ta shkurtoj, prej merakut t’saj zemra po m’gufon’.
Nëna pra, do të jetë e para, anipse është e para.
Kjo i bie sikur të ndjesh etje, duke pirë ujë.
E kam provuar atë etjen kur digjesh aq shumë për ujë, sa do ta kishe ‘kafshuar’ ujin.
Dashuria shqiptare është e sëmurë.
Duhet të shërohet kjo dashuri.
Qysh shërohet ndryshe, përveç nëse Nëna, Vjehrra dhe Njerka nuk e bëjnë një hap pas.
Ato duhet të ishin ngopur deri tani me Dashuri, sepse janë vet Dashuria.
Por, si duket kemi të bëjmë me atë paradoksin e madh se ‘nëse do deri në dhimbje-nuk të dhemb më’.
Është edhe një tjetër tekst plotësisht primitiv, që më së miri tregon për gjendjen tonë shpirtërore.
Kënga:
‘Me dy të dashura që i kam o ju shokët e mi,
unë i dua shumë ato, i kam si sytë e Mij,
e para është nana, e dyta më je ti,
se mos t’ishte nana, s’do t’më kishe ti’.
Nuk ka tekst më qesharak se ky.
Është e dhimbshme, se si Baba, Vjehrri (se te shqiptarët e gjen një Njerk, një në një milion); ta nxijnë jetën, por s’përmenden kurrë për t’keq.
Si ia dolën Ata të gjuajnë gurin e të fshehin dorën!
Shyqyr që kënga dhe arti nuk kanë mundësi të tregojnë të vërtetën e plotë të pozitës së gruas në shoqëri.
Kënga e Shkurte Fejzës ‘Nuse mësuese’, dëshmon edhe një herë se ‘Asgjë e re nën këtë Qiell’.
Është e dhimbshme që teksti i kësaj kënge është i vërtetë.
Pra, ky tekst e tregon mentalitetin real të shqiptarëve, ku njeriu i ri dëgjon të vjetrin dhe ku respektohesh veç nëse nuk dëgjohesh e gjallë.
Është ‘e urtë, e mirë’, thuhet për femrën ‘e pagojë’. Pra, të jesh ‘e pagojë’ e fiton respektin.
Heshtja vlerësohet më shumë se puna.
Puno sa të duash, nëse e prishë me fjalë.
E mbaj mend veten kur jepja mendime të flakta si gjimnaziste, e merrja goditjen ‘E re je ti’.
Dhe shpesh më ndodh ma përmendin atë idiomën ‘Si ajo lopa e mirë që në fund e derdh qumshtin’!
Pra, deri tash, lumturinë dhe dashurinë time e ka prishur dhe e ka vrarë Fjala.
Po, e vërtetë, në të gjitha këngët e të rinjve tash ka luftë të madhr.
Ka ‘Dashuri dhe luftë’, protestë dhe krenari, shamje dhe ofendime, por nuk ka pabarazi, nuk ka robëresha.
Vjehrra duhet të mos pres ta largojnë nga shkrimet, nga legjendat dhe nga këngët, por Ajo duhet të dal vet, e të mos kthehet më.
Gruaja gjithmonë ka probleme, gjithkund.
Krejt sherri i dashurisë, që duket se kurrë nuk mjafton.
S’më kujtohet titulli i atij filmit, kur një nënë më përpara e bën kabull të përfundoj djali i saj në Alkatraz, sesa që pranon me pa me vajzën që ai e dashuron (por që nënës së tij nuk i pëlqen).
Kurrë nuk e kam kuptuar pse dikush duhet ta mësoj dikë se kë duhet ta dashuroj.
Prandaj, vet kam mbetur.
Anipse ‘dikush’ i panjohur dhe i fiksuar, prej nervozës që s’po i përgjigjem në qindra mesazhe të ‘dashurisë’, në këto momente u nervozua dhe më quajti ‘bitch’. E shihni, pra kur ‘Mashkulli’ shkon te Venera, qysh e mban alltinë në xhep.
Në Venerë është tepër nxehtë, Marsi është tepër i ftohtë, më i ftohtë e arma.
Ti vajzë, ti grua, shkruaja këngës tënde një tekst të ri: mbaje veten, ruaje veten, duku bukur dhe e ditur, se nëse dikush është indiferent ndaj bukurisë tënde, nuk mund të jetë indiferent edhe ndaj Dijes tënde.
Askush ndaj bukurisë e ndaj Dijes nuk mund të jetë indiferentë.
P.S. ‘Por ti e Dyta, mos u dëshpëro kaq shumë, se Nanën time e dua ma shumë se Ty
Se po mos ishte Nana s’do t’më kishe
Që të Dyja t’mira jeni, ju kam si Syte e Mij’




