Kur do ta kuptojnë politikanët tanë shtetin si shtëpi të tyre, si politikanët gjermanë?

Gjyla Çeliku

“E kam sqaruar raportin tim me të dashurin Zot”, kishte thënë në mediat gjermane ministri i Financave të landit të Hessenit i cili ka bërë vetëvrasje…

Politika e cila reflektohet nga njerëz të përgjegjshëm dhe me ndjenja është profesioni më joshës në botë. Nëse shtetin e sheh si shtëpinë tënde dhe popullin si fëmijën tënd atëherë suksesi nuk mungon dhe jorastësisht Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore e ndërtoi populli dhe udhëheqësit e denjë. Për fat të keq në Ballkan ndodh e kundërta ku disa politikanë shtetin e shohin si një kompani biznesi ku mund të vjedhë secili dhe pa menduar për ndërtimin e shtetit e duke harruar që paratë e shtetit janë djersa e qytetarëve.
Ministri i Financave i landit të Hessenit në Gjermani ka bërë vetëvrasje. Kufoma e tij është gjetur në një linjë hekurudhore. Supozimet e ndryshme që na plasohen nga mediat reflektojnë se politikani Thomas Schäfer ka bërë vetëvrasje nga tronditja se nuk do të mund të plotësojë të gjitha pritjet që populli mund të ketë në kohën e koronavirusit. Kryeministri i Hessenit Volker Bouffier tha: “Ma merr mendja se këto shqetësime e kanë shkatërruar”. Thomas Schäfer ishte politikan me përgjegjësi dhe ndjenja. Njeri i akademisë dhe politikës. Doktor i drejtësisë. Pasion e kishte gatimin. Ai bën vetëvrasje nga përgjegjësia të cilën e ndjeu në rënien e ekonomisë dhe strategjinë të cilën do u ofronte bizneseve për të tejkaluar situatën. Ishte njeri me ndjenja. A thua vallë politikanët tanë kanë ndjenja? Përzuan rininë, mjekët, motrat, spitalet si më zi, si do ta përballojnë këtë pandemi dhe mos dhashtë Zoti humbjen në njerëz? A thua sa respiratorë ekzistojnë sot në trojet tona? Cka u mungon këtyre për të qenë njerëz?
Ndjenja për njeriun.
Si i kanë raportet me Zotin?
Vetja u duket Zot atyre ndaj lakmojnë pushtetin.
Kur do ndërtohen shtetet tona?
Kur të udhëhiqen nga njerëz.