Ministria e Shëndetësisë informon se për vaksinimin kundër gripit sezonal për kategoritë e rrezikuara të popullsisë deri më tani janë paraqitur mbi 76 mijë qytetarë, ndërsa janë vaksinuar më shumë se 43 mijë persona në të gjithë vendin.
“Qytetarët e interesuar ende kanë mundësi të paraqiten për vaksinim kundër gripit sezonal përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose përmes mjekut të tyre amë. Ekipet preventive vazhdojnë gjithashtu me vaksinimin në terren në kushte shtëpie për personat e moshuar dhe ata të palëvizshëm, si dhe për personat me aftësi të kufizuara,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Gjithashtu, theksojnë nga MSH, ka filluar vaksinimi me vaksinat komerciale në Qendrën për Shëndet Publik – Shkup, ndërsa gjatë javës do të fillojë vaksinimi edhe në qendrat e tjera për shëndet publik në mbarë vendin.
Ekipet e Qendrës për Shëndet Publik – Shkup kryejnë vaksinimin çdo ditë pune nga ora 07:30 deri në 14:30. Çmimi i vaksinave komerciale është 700 denarë.
		





