Ndërtimi i rrethrrotullimit në udhëkryqet e bulevardit “Brigada e Tretë Maqedonase”, “Goce Dellçev” dhe “Bajram Shabani” në qytetin e Kumanovës, po vështirëson dukshëm trafikun, i cili po shoqërohet me pasoja çrregullimi të herëpashershëm. Kjo për shkak se punimet e këtilla po zhvillohen pikërisht në rrugët më të frekuantuarat të Kumanovës.
Qytetarët ankohen se ka ngecje gjatë gjithë ditës, në veçanti më kritike është pasditja, kur qytetarët kthehen nga puna.
“Kaosi në trafik vazhdon pothuajse gjatë gjithë ditës, por pika më kritike është pasditë dhe ditët e pazarit, kur pothuajse bllokohet trafiku, kurse qytetarëve u vështirësohet kalimi i rrugëve. Pikërisht në këtë periudhë kohore fillojnë sharjet, fyerjet e qytetarëve. Pastaj jemi dëshmitarë edhe i zënkave të nganjëhershme”, ankohet Agron Ajdini, duke shtuar se në qytet duhet të dalin, vetëm kur të munden dhe jo kur të duan, për shkak të situatës.
“Kur kthehemi nga puna, me autobus duhet ta kalojmë pikërisht atë rrugë, kur edhe fillon kaosi i përgjithshëm. Nga ‘Tregu i gjelbër’ deri te udhëkryqi, na nevojiten rreth 40 minuta. Shpresoj që sa më parë të përfundoj ky kaos dhe të normalizohet gjendja”.
Qytetarët poashtu kanë vërejtje të shumta për shkak se punimet ndërtimore për të dy rrethrrotullimet kanë filluar në rë njëjtën kohë. “Si ka mundësi që të dy rrethrrotullimet të fillojnë në të njëjtën kohë, kur mirëfilli dihet se janë në bulevardin më të frekuantuar të qytetit”, pyet i revoltuar Hasan Ramadani.
“Vetëm amatorë i madh duhesh me qenë për t’i filluar njëkohësisht punimet ndërtimore në të dy rrethrrotullimet në këtë rrugë shumë të frekuanetuar. E shihni ky gabim i planifikimit të ndërtimeve sap o na kushton neve qytetarëve. Me lloj-lloj vonesa për t’i kryer obligimet ditore, me nerva, me sharje e fyerje. Kujt ia desh ky kaos dhe talleje me qytetarët e Kumanovës. Vetëm ky kryetar komune mund ta shkaktoj këtë kaos!”.
Vërejtje për dinamikën e ndërtimit kanë edhe shumë qytetarë të cilët ankohen se nganjëherë ndodhë që me ditë të tëra të mos punohet. Prandaj ata kërkojnë përfundim sa më të shpëjtë të punimeve ndërtimore.
Ndërtimi i rrethrrotullimit të tretë në qytet filloi në fillim të majit dhe është planifikuar të përfundojë në mes të verës. Për momentin po punohet në zgjerimin e rrugës “Goce Dellçev” për një korsi tjetër, për shkak të së cilës është ngushtuar një pjesë e toros para objekteve. Në atë pjesë do të ndërtohet infrastruktura e re nëntokësore, si kanalizimet e stuhisë dhe ndriçimi i rrugëve.
Për momentin po punohet për ndërtimin e rrethrrotullimit në kryqëzimin e rrugëve “Revolucioni i Tetorit” dhe “Brigada e Tretë Maqedonase”, ku vlera e investimit është 580 mijë euro.