Kumanovari që 23 vite më parë i dha armën më të fuqishme UÇK-së

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Me rastin e përvjetorit të “Radio Kosova e Lirë”, e cila filloi emetimin më 4 Janar 1999. Copëza ditari, shkruar në veten e parë. Me kërkesën këmbëngulëse të bashkëluftëtareve, për të dëshmuar të vërtetën e idesë, fillimit dhe të një pjese të rrugëtimit  të teknikës së  të radios Kosova e Lirë.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e filluar me aksione të herëpashershme nga njësitë e vogla dhe lehtë të armatosura në fillim të viteve të ’90-ta, në vazhdim kishte filluar konsolidimin e radhëve të saj dhe intensifikimin e luftës çlirimtare pothuajse në tërë hapësirën e Kosovës. Kjo luftë, e rrethuar nga një terr informativ, për të cilën shkruhej dhe flitej në këndvështrime të ndryshme, e shpeshherë me një realitet të shtrembëruar informativ dhe, poashtu e ballafaquar nga injoranca dhe etiketimi i ndyrë i një pjese të caktuar të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, kërkonte zërin e saj informativ dhe propagandues, që duke emetuar të vërtetën do të krijonte një mbështetje dhe një shtytje të luftës, do të ngritë moralin tek luftëtarët, por mbi të gjitha do të thoshte botërisht të vërtetën rreth Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare.

Në vitin 1993, pas mbledhjes së katërt të Përgjithshme të këshillit Drejtues të LPK-së, kur mbi krerët e lëvizjes ilegale ishte vërsulur si bishë e tërbuar Serbia dhe, në këtë realitet të hidhur  Kosova kishte filluar të zbrazet nga të rinjtë shqiptarë. Deri sa kursi politik në emër të pacifizmit gjeneronte ironinë më të madhe shoqërore ndërshqiptare, veprimtarët atdhetar në ilegalitet me arsye të plot shqyrtonin dilemën e shpopullimit të Kosovës nga të rinjtë e saj. Kjo shtronte dilemën e rinisë shqiptare dhe luftës çlirimtare që kishte zënë fillin e saj. Një përfundim logjik i kësaj dileme, bazuar në projektin politik të lëvizjes ilegale ishte se luftëtarët shqiptarë që duan të luftojnë për lirinë e Kosovës do të vijnë edhe nga skajet më të largëta të botës, ndërsa e kundërta e kësaj është që ata që nuk duan të luftojnë do të lënë vendin për të marr arratinë. Ky ishte konkludimi i fillimviteve të ’90-ta që Kosova praktikisht do ta përjetoj në luftën e saj çlirimtare. Në këtë konkludim edhe Presheva si pjesë e pandarë e trungut shqiptar, djemtë e saj të ilegalitetit do të kyçeshin aktivisht në luftën e saj çlirimtare. Që nga Shtatori i vitit 1997, pas konsultave me përfaqësuesit e LPK Dega J. Vendit, Këshilli i Rrethit të Preshevës shndërrohet në njësite të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e vënë tërë kapacitetin e saj në shërbim të plot të luftës. Pra Presheva do të kyçet dhe aktivisht do të vihet në shërbim të UÇK-së.

Njësitet në Preshevë kishin një strukturë mirë të organizuar, mirë të disiplinuar, me hierarki dhe udhëheqje të përgjegjshme dhe, ky territor me këto njësite më vonë do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe mbështetjen e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presheva që me shtrirjen e saj gjeografike zë një pozicion shumë të rëndësishëm gjeostrategjik, ka rolin e saj dominues  në krijimin dhe funksionimin e kanalit furnizues dhe qarkullues të mjeteve logjistike dhe të personave eminent, udhëheqës e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me një organizim shumë të mirë, me luftëtarë që e njihnin shumë mirë terrenin, krijohet një rrjet shumë i suksesshëm logjistik i cili kryesisht vepronte nën hundët e armikut.

Beogradi zyrtar, gjatë intensifikimit të luftës në Drenicë, publikisht do të deklarojë se: “Nën udhëheqjen e drejtpërdrejt të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  në  Preshevë ekziston dhe vepron vija e furnizimit”, prandaj dhe kishte intensifikuar lëvizjet e saja agjenturore, ushtarake e policore.

Presheva dhe njësitet e UÇK-së të kësaj ane vërtetë kishin lidhje direkte me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më tepër se informatë që mund të kishte Beogradi, deklarimi zyrtar i saj mund të ishte një koincidencë rasti, megjithatë këto gjëra përputheshin dhe ne këtë e kishim parasysh.

Këto njësite me një vetorganizim, që në atë kohë vepronin në Zonën e Tretë Operative të UÇK-së2, do të gjurmonin dhe do të bënin çmos në konsolidim të radhëve, me një përgjegjësi dhe vartësi që do të krijoheshin nga lartë, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë vijë, në Prillin e vitit 1998, krijohen kontaktet me Feniksin dhe Tonin, të cilët nën direktivën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me mision të caktuar vepronin kryesisht në Prishtinë. Kontakti me Feniksin dhe Tonin vihet me ndihmën e Adrian Mehmetit, Xhemail Zenelit dhe Fatmir Arifit, që në atë kohë ishin student në Prishtinë por të sistemuar në njësitet e UÇK-së në Preshevë.

Me ndihmën e Feniksit dhe Tonit, krijohen kanalet më të sigurta për kontaktet me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kontakte që herë pas here do të vazhdohej me udhëheqësin  e njësiteve të UÇK-së nga Presheva. Rrugën për në Likoc, në fshatin ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që nga Prishtina e përcillnin peripecitë e ndryshme dhe plotë bujë. Rruga merrte një kahe të kundërt, një nisje nga lindja në drejtim të Keçekollës dhe, te sharra e Ibrahim Osmanit ktheheshim në të majtë, për të gjarpëruar rreth kufirit e për të rënë nga mbrapa në Shalë të Bajgorës. Në sharrën e tij të punës, Ibrahimi priste dhe përcillte me bujari mysafirët e pazakontë që nuk kishin orar të kalimit.

Në fundin e Majit të vitit 1998 do të jem në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në fshatin Likoc.  Aty do të takoja, pas një kohe shumë të gjatë, z. Hashim Thaçi. Pas përshëndetjes shumë të ngrohtë të Hashimit, ai me një gjest urdhërues vuri në lëvizje Tonin, Feniksin dhe Rexhep Selimin dhe së bashku shkuam në zyrën  e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së . Ndër bisedat që do të zinte vend me rëndësi, që ne zhvilluam gjatë atij takimi me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, pra format e organizimit dhe shtrirjes së luftës çlirimtare, ishte edhe domosdoshmëria e sigurimit të një radioje emetuese, e cila do të vihet në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natyrisht se Feniksi dhe Toni paraprakisht shpalosin idenë që kishin diskutuar me mua dhe mundësin e sigurimit të radios. Që lufta çlirimtare të kishte edhe zërin e saj informativ, ishte një projekt mirë i menduar i drejtuesve të UÇK-së, një projekt që do të vihej në shërbim dhe do ta ndihmojë në masë të madhe luftën çlirimtare. Me që u diskutua gjerë e gjatë kjo çështje, duke i analizuar të gjitha mundësit, mund të them se kjo nuk ishte vetëm një diskutim por për mua ishte një urdhër i dhënë nga udhëheqësi të UÇK-së, Hashim Thaçi, për sigurimin e një aparature të radios.

Gjatë kthimit nga Likoci për në Prishtinë, bashkë me Tonin dhe Feniksin  u pajtuam që sharra e Ibrahim Osmanit do të jetë baza ku ne mund ta shfrytëzonim në rast se siguronim aparaturën e radios.

SHPRESA PËR SIGURIMIN E MJETEVE TË RADIOS EMETUESE MBËSHTETUR NË ENERGJINË E PAFUNDME TË LUFTËTARIT TË LIRISË

Shpresa për sigurimin e radios emetuese kishte mbështetjen tek energjia e pafundme e luftëtarit të lirisë. Dhe kjo shpresë mbështetej kryesisht tek solidariteti i shqiptarëve me luftën e lirisë dhe djemve që e udhëhiqnin atë. Radio “Zëri” në Kumanovë, që ishte pronë e Ismet Bexhetit, një këngëtari të adhuruar dhe që gëzonte respekt në popull, e kishte ndërprerë emetimin dhe punën e saj që nga lufta e Jasharajve, në Mars të vitit 1998. Ismeti ishte deklaruar botërisht se derisa në Kosovë bëhej luftë, unë nuk mundem të vazhdoj punën me emetimin e programit të radios, e cila ishte kushtëzuar nga qeveria maqedonase të punojë vetëm në emetimin e programit “urime dhe përshëndetje” dhe programeve të parëndësishme.

Me që këtë realitet e njihja mirë, u bëjë me dije “Gjarprit ” dhe “Dhjetëshit”, të cilët pas një analize të hollësishëm më obligojnë që të takoj Ismet Bexhetin, të bisedoj me të për të gjitha mundësit dhe me të gjitha variantet e mundshëm që ai ta dorëzoj aparaturën e radios.

Rrugëtimi për në Likoc poashtu edhe rruga për tu kthyer nga Likoci nuk ishte aspak e lehtë. Ajo ishte në vëzhgimin e përhershëm, nën kontrollin e vazhdueshme, duhej të kalohej shumë afër postblloqeve serbe e kërcënimeve të tytave armike. Për të lakuriqësuar krejtësisht këtë prononcim e për të qenë i hapur, kjo rrugë kalohej ilegalisht, armët në gjendje gatishmërie dhe në rast ballafaqimi me policinë serbe komunikohej vetëm përmes tytës së pushkës. Rrugën deri në Likoc me bashkëluftëtarë, do të më bënte përshtypje deklarimi i një bashkëluftëtari, i cili nuk pranon te hajë mëngjesin. Ai kishte parë raste të ndryshme të kufomave, prandaj ai u prononcua: “Para rrugëtimeve të tilla nuk dua të ha mëngjesin sepse dëshiroj që për çdo rast kufoma ime të mos jetë e ndotur…”. Rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë. Kryesisht udhëtohej natën dhe pa fenerë, pa drita. Stacionet e policisë ishin të fortifikuara më shumë policë, ushtarë dhe teknikë ushtarake. Në rrugë e sipër, pranë burgut famëkeq të Smrekonicës, duke e kaluar lumin Sitnica, “Llada Niva” na mbetet ne baltë. Peripecitë nuk kishin fund, por këto sa vinin e zhvilloheshin po ashtu të ngërthenin për përgjegjësinë e marr mbi supe tona. Duhej të kalohej edhe balta e lumi Sitnica. Së bashku me “Tonin” shkuam ne fshatin fqinjë, takuam rojet e fshatit nga të cilët kërkuam ndihmë. Nuk vonoi shumë dhe dy ushtarë të UҪK-së me një traktor na ndihmuar që të kalonim pengesat e shkaktuar nga lumi Sitnica.

Kthimi nga Likoci, do të jetë një kthim me detyrë, me obligim e përgjegjësi, për të marrë rrugën për në Kumanovë deri tek shtëpia e Ismet Bexhetit. Dhe, nga mesi i Qershorit të vitit 1998, i shoqëruar nga Ilmi Ajrulli, me të cilin tani më ishim në organizim, vizitojë Ismet Bexhetin në shtëpinë e tij. Ilmiu ishte një djalë nga fshati Runicë komuna e Kumanovës i cili pas kontaktit që kishte bërë me mua, sistemohet në radhët e UÇK-së ku me vëllezërit e tij, Avniun, Basriun dhe me tërë familjen e tij jep një kontribut të jashtëzakonshëm në logjistikën e UÇK-së.

Pas pritjes shumë të ngrohtë dhe bujare të Ismet Bexhetit, unë prezantohem me pseudonimin “Çeli” dhe si i deleguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pa humbur kohë i tregoj arsyen e vizitës sime, i tregoj bisedën që e kam bërë në Shtabin e Përgjithshëm dhe motivin që më ka shtyrë në këtë drejtim. Ismet Bexheti me një qëndrim burrëror deklarohet hapur se jo vetëm teknika e radios së tij, por edhe vet ai si individ dhe familja e tij do të vihen në shërbim të luftës çlirimtare. Ky është nderë për mua dhe familjen time, por – vazhdon Ismeti – mua aparaturën e radios  në emër të  UÇK-së ma kanë kërkuar disa individ të tjerë, me të cilët jam në kontakt dhe jam duke i vazhduar bisedimet. Këta persona munden qysh sot me ardhur që ne ti definojmë gjërat, por çështja është se as vet nuk jam dakord që tua dorëzoj aparaturën. Ata po ashtu thirren në emër të UÇK-së, por për dallim, ata kërkojnë që aparaturën ta marrin dhe ta vendosin në hapësirën e Shqipërisë, gjë që tek unë ngrit një ndjenjë të përzier, të vullnetit për të ndihmuar dhe dyshimit se nga kush do të përdoret dhe për kë do të emetohet në hapësirat e Shqipërisë.

Kjo temë  thellon seriozitetin e debatit tonë.  Dyshohet se aparatura ishte kërkuar jo nga zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por nga persona të dyshimtë apo anëtarët e FARK-ut. Në këtë pikë vazhdohet diskutimi për disa orë me radhë. Duke shpalosur argumente bindëse dhe të qëndrueshme, arrij edhe të dëshmoj se vërtetë jam i deleguar nga Shtabi i Përgjithshëm.  Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe lufta çlirimtare bëhej në Kosovë e jo në Shqipëri, prandaj edhe valët emetuese të një radioje duhen të jenë në Kosovë e jo gjetiu, foli Ismet Bexheti. Me këtë bindje Ismet Bexheti nënshkruan dokumentin, që e tërë aparatura e radios së tij do ti dhurohet pa asnjë kompensim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nesërmen Ismeti fillon të paketon tërë aparaturën (pos antenave që ishin akoma në kulmin e shtëpisë) dhe e bënë të gatshëm për udhëtim.

Vlen të theksohet se ky ishte takimi im i parë fizik me Ismet Bexhetin dhe ne nuk njiheshim. Aq sa kishte të drejt të më besoj aq më shumë kishte të drejtë edhe të dyshojë në mua. Bisedën dhe kohën prej disa orëve si dhe pyetjet që mi bënte, unë plotësisht i arsyetoja, sepse njeriu kërkonte prova bindëse. Prandaj e gjithë kjo konkludon se Ismeti paraprakisht ishte i përgatitur që të kyçet dhe të kontribuojë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por për këtë kërkonte kanale të sigurta.

Në ndërkohë, unë kthehem nga Kumanova në Preshevë, u komunikoj bashkëluftëtarëve epilogun e bisedimeve që pata me Ismet Bexhetin dhe konsultohemi për veprimin e mëtutjeshëm. Në këto konsulta, bënin pjesë edhe njësitet e komunës së Gjilanit që përfaqësoheshin nga Elisa Ymeri – Ylli.

E veçanta që duhet cekur është qëndrimi im që të marr mendimin e Fazli Hajdarit, njërit nga personat kyç, efikas dhe operativ, për personalitetin e Islam Berishës, një tregtari të ndershëm, human e atdhetar  nga Prishtina, me të cilin shoqërohej shumë Fazliu. Islami ishte njeriu i cili i kishte rrahur dhe i njihte më mirë se kushdo tjetër shtigjet e rrugëtimit që nga Presheva e deri në brendi të Llapit. Neve na duhej njeriu besnik që do të ketë guximin dhe njohuritë e terrenit, për të lidhur zinxhirin e organizimin deri tek pika numër tre, pra deri te sharra e Ibrahim Osmanit në Keçekollë. Në rast se pranon, atëherë pa dyshim se Islam Berisha ishte njeriu më adekuat dhe që i plotësonte të gjitha kriteret për të marr besimin që aparatura e radios të bartet nga ai prej Gjilanit deri në fshatin Keçekollë.

Pas këtij konsultimi, së bashku me Fazli Hajdarin marr rrugën për në Prishtinë me qëllim që të takojmë Islam Berishën (Lamin). Në ato momente Lami na dukej njeriu i pazëvendësueshëm, njeriu i vetëm dhe shumë i madh dhe, vetëm ai mund të na shpëtonte faqebardhë. Takuam Islamin në shtëpinë e tij dhe bisedojnë rreth temës së caktuar.  Islami na nderoi, ai e ofroi tërë pasurinë, të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe veten e tij në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  por në fillim hezitoi dhe nuk besoi në sinqeritetin e Ibrahim Osmanit, tek e cili duhet të dorëzohet radioja. Pas shumë orë bisedime, gjithnjë duke u thirrur në përgjegjësinë e hierarkisë ushtarake, Islamit nuk i mbetet gjë tjetër pos të bindet dhe të pranon përgjegjësinë e transportit. Duke mu drejtuar me “ti”, Islami më thotë: “Me që ti që më vjen në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ke besim në Ibrahimin dhe, shokët tjerë që ti po i përmend poashtu kanë besim, atëherë do të kem edhe unë, sepse në krahasim me juve unë jam njeri shumë i vogël, vrima e fundit e kavallit”. Islami thotë për vete se “është njeri shumë i vogël”, çfarë modestie ! Ndërsa për neve  ishte njeriu shumë i madh dhe për momentin i pazëvendësueshëm. Ai mund të mos e dinte, por ne shpresat i kishim varur tek ai.  Megjithatë, përfundimi i dialogut me Islamin (Lamin) dhe gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësinë e transportit të Radios,  ishte edhe një sukses që motivoi luftëtarët e lirisë ti përkushtohen dhe ti qasen edhe më me zell punës.

Qëndrimi refuzues i Ismet Behxhetit karshi institucioneve qeveritare maqedonase për  programin e emetimit të radiove lokale, në veçanti të atyre shqiptare, e sidomos vendimi i tij për ndërprerjen të tërësishme të programit të radios pas luftës së Jasharajve dhe rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kishte bërë që shtëpia e tij dhe ai vet të jenë nën vëzhgim të përhershëm të agjenturës maqedonase të sigurimit. Ismeti këtë e dinte, e dinim edhe ne të tjerët, prandaj kishim kujdes të veçantë në veprimet tona. Ne nuk donim asgjë t’i linim rastësisë, qoftë edhe pengimin e mundshëm të realizimit të projektit të “radios”. E tëra kjo fokusohej në domosdoshmërinë e arritjes së suksesit dhe lufta çlirimtare e UÇK-së të kishte zërin e saj. Në atë kohë ne nuk kishim shpresa shtesë, e vetmja ishte radioaparatura e Ismetit.

Me që ne konsideronim se Ilmi Ajrulli është më i lirë në lëvizje, banonte në Kumanovë dhe nuk e kishte larg shtëpinë e Ismetit, caktuam atë që ti mbaj kontaktet me të. E caktuam edhe për një fakt, se Ilmi Ajrulli ishte Komandant i njësitit të parë të UÇK-së në Kumanovë, Zona e Tretë Operative.

Ismeti publikisht do të sajonte justifikimin e heqjes së antenave të radios nga kulmi i shtëpisë dhe në moment të caktuar edhe mospasjen e aparaturës së radios. Justifikimi ishte shitja e radios me që më nuk kishte program emetues të saj.

Aparatura e Radios, nga Kumanova udhëton për në fshatin Llojan nën përgjegjësinë e Ilmi Ajrullit. Ilmiu i vë kontaktet me familjen e Osman Latifit nga fshati Llojan, një familje bujare, me gjendje jo të mirë ekonomike por e pasur me ndjenja kombëtare e liridashëse. Baca Osman, së bashku me djalin e tij Hasanin dhe mikun e tij Bajram Islami, po ashtu nga fshati Llojan, me vendosmërinë e të palëkundurit për të qenë në shërbim të luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartin aparaturën e radios nga shtëpia e Ismet Bexhetit në Kumanovë deri në fshatin Llojan ku edhe e strehuan në shtëpinë e tyre. Duke këmbëngulur për të mbetur të ndërgjegjshëm dhe ballëlartë, baca Osman angazhon tre djemt e tij në vëzhgimin e terrenit drejt kufirit me fshatin Miratoc dhe pasi sigurohen në mundësinë e kalimit, tre vëllëzërit, Hasani, Naseri dhe Enveri, djemt e bacit Osman bartin aparaturën dhe kaluan kufirin Maqedoni – Luginë e Preshevës drejtë fshatit Miratoc. Ky ishte aksioni i parë për Hasanin, i cili më vonë do të ketë nderin për të pasur plagën si dhuratë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, për të vazhduar me luftën në Luginën e Preshevës – dhe për të përfunduar me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në trojet shqiptare në Maqedoni.

Në fshatin Miratoc aparatura e radios për një kohë shumë të shkurtër qëndron në një shtëpi bazë të UÇK-së, pron e dy vëllezërve shumë aktiv, ushtarë të UÇK-së, Avni dhe Vebi Shabani. Situatat e krijuar gjithandej viseve shqiptare, lufta çlirimtare dhe solidariteti me të, kishte bërë që Lugina e Preshevës të jetë nën një kontroll të vazhdueshëm dhe rigoroz të forcave policore ushtarake serbe. Beogradi zyrtar kishte deklaruar se në Preshevë funksionon suksesshëm kanali furnizues i UÇK-së dhe për këtë kishte shtuar forcat e sigurimit. Baza në Miratoc, me që ishte shumë afër kufirit, mendonim se ishte e rrezikuar. Pas konsultimit me bashkëluftëtarët, marr vendim që aparatura e radios do të udhëtoj drejtë Kosovës përmes grykës së Rahovicës, fshatit Bukoc, kodrës së Garës për të vazhduar drejtë grykës së Sllubicës së komunës së Gjilanit.

Aparatura e Radios në Miratoc, fshat i Preshevës që shtrihet në kufi me Llojanin, ka arritur në fundin e Korrikut të viti 1998. Aty qëndron afër pesëmbëdhjetë ditë, derisa sigurohen të gjitha kanalet e mundshme të bartjes së saj. Ushtarët e angazhuar në transportin e saj ishin të përgjegjshëm dhe të disiplinuar. Secili prej tyre kishte obligimin e vetë që do ta kryenin me përgjegjësi të plot kombëtare e morale. Kishim vënë në organizim një rrjetë zinxhiror ushtarësh që nga Kumanova e deri ne Slivovë, duke i siguruar një rrugëtim të sigurt drejtë Shtabit të Përgjithshëm aparaturës që më vonë do të emetojë “Radio Kosova e Lirë”

Vetëm nga fshati Miratoc deri në Preshevë, në shtatë kilometra rrugë, ishin të stacionuara tri postblloqe policore dhe ndërkohë ishte edhe patrulla lëvizëse që kontrollonte rrugën Preshevë -Miratoc – kufi me Maqedonin. Nuk ishte e lehtë të bëhej rrugëtimi i aparaturës së radios, ashtu siç nuk ishte e lehtë as lufta për liri dhe ballafaqimet tjera me të cilat përballeshin luftëtarët e lirisë. Nga fshati Miratoc deri në fshatin Rahovicë obligohet Ibrahim Fejzullahu (tani dëshmor i kombit), i cili me makinën e tij “Llada Karavan” bartë tërë teknikën e radios (pos antenave). Përcjellja e rrugës si dhe sigurimi i bazës në Rahovicë i ishin besuar Sadik Ademit në mbështetje të njësitit të UÇK-së, të armatosur lehtë dhe poashtu ishin njësitet e vëzhgimit që lajmëronin mundësinë e lëvizjes së forcave serbe. Gjeturia, si rezultat i veprimit të guximshëm të luftëtarëve të lirisë, padyshim se sjell suksesin e vet. Në momentin delikat të ballafaqimit me patrullën e policisë, gjeturia e Sadikut bënë që makina-kombi, e cili ishte duke i bartur antenat e radios, të stoliset me një peshqesh dhe të futet në një kolonë të rastësishme të krushqëve dasmor. Me një veprim të tillë, kjo pjesë e transportit i ik për mrekulli syrit të keq policor.

Në Rahovicë, aparatura e Radios strehohet në shtëpinë r znj. Sadbere Ademi- Sadiku që ishte motra e veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarit dhe eprorit të UÇK-së, Sadik Ademi.

ME 4 TETOR 1998, APARATURA E “RADIOS KOSOVA E LIRË” E LË PRESHEVËN DHE MERR RRUGËN DREJTË KOSOVËS DHE SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Nga fshati Rahovicë, me traktorin e Mustafë Shaqirit, i cili edhe e ngiste, aparatura merr rrugën drejtë Kosovës, duke kaluar Rahovicën, Shoshajën, Brijës së Bukocit, kodrës së Garës për të bërë një hark nga lagja e Bishtakëve për të rënë tek xhamia e Sllubicës. Ky variant i propozuar nga Reshat Ajvazi doli më i arsyeshëm dhe këtë rrugëtim do ta bëjë radioja. Të obliguar me këtë përgjegjësi ishin ushtarët: Mustafë Shaqiri, Reshat Ajvazi, Ardian Mehmeti, Fatmir Arifi, Xhemajl Zeneli dhe Bekim Bajrami.

Emër për emër, ushtar për ushtar kishin marrë këshillën time, që për ta ishte urdhër i pashkruar. Mbi të gjitha, në mënyrë rigoroze duhej të respektohej disiplina, e ushtarët nuk guxonin të binin në prit, nuk guxonin të vriteshin dhe nuk guxonin të ziheshin rob, puna duhej të kryhet.

Bartja e kësaj aparature për dikë ishte aksioni i parë tek të cilët nuk mund të fshiheshin emocionet e një luftëtari të lirisë. Këto emocione përcilleshin me qëndrimin e tyre krenar, shikim e mprehtë drejtë horizontit nga do të kalonin, rëndësia e përgjegjësisë së aksionit, gatishmëria e sakrifikimit së bashku me këngën në buzët e tyre.

Deri sa në rrethin e Preshevës, rrugëtimin e aparaturës së radios e përcillnin njësitet e UÇK-së që vepronin kryesisht në Preshevë, në komunën e Gjilanit e pritnin poashtu njësitet e UÇK-së të cilët vepronin nën urdhrat e udhëheqjes sonë. Këto njësite ishin lehtë të armatosure dhe kishin zënë të gjitha pikët strategjike të vëzhgimit. Njësiti i udhëhequr nga Elisah Ymeri, me ushtarët: Xhabir Ymeri, Muhamet Ajvazi, Rexhep Ymeri, Selami Sherifi, Besim Ymeri, Shemsedin Rexhepi, me kujdes të veçantë përcillte rrugën që nga gryka e Sllubicës deri në Slivovë afër Mramorit.

Pasi që aparatura kishte marrë rrugën drejtë Kosovës dhe çdo gjë shkonte sipas planifikimit, unë së bashku me Fazli Hajdarin marr anën tjetër të rrugës për të arritur në vendin e caktuar. Pasi kaluam në këmbë Preshevën, ngjitëm rrugët e malit deri te vendi i quajtur “Vaçka” ku na priste “taksi i prishur”. Kaluam Livadhin e Shehut dhe para se të afrohemi në fshatin Buhiq zbresim për të vazhduar në këmbë deri në fsh. Ilincë. Nga aty, Tahir Dalipi me veturën e tij “Golf” na shpie deri në hyrje te fshatit Llovcë për të vazhduar përsëri në këmbë deri në fshatin Pogragjë.

Në Pogragjë na prisnin njësitet që vepronin në Gjilan dhe me makinën e njërit njësit na dërguan te vendi i caktuar ku do të vinin luftëtarët e UCK-së tok me aparaturën e radios nga Presheva. Ne vëzhguam terrenin dhe nuk ndeshëm me asnjë gjë të dyshimtë. Deri këtu puna mund të kryhej me sukses.

Islam Berisha ishte i përpiktë. Ai vie në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Posedonte një “Llada Niva” ngjyrë të kaltër. Po me këtë makinë, ai ishte përkujdesur për ekzistencën e familjes së tij dhe, tani e kishte lënë në dispozicion të nevojave të UÇK-së. Aparatura ngarkohet në automjetin e Islamit, ora kishte shkuar në 23.00. Unë,  marr vendim që Islamin ta shoqëroj Fazli Hajdari. Rruga që vazhdon ta ndjek Islam Berisha me aparaturën e radios kalon fshatin Pogragjë, Uglar dhe në hyrje të Malishevës kthen për Velekincë, për të kaluar shumë afër kazermës ushtarake serbe ne vendin e quajtur Zabeli i Sahit Agës në Gjilan. Sa më pran armikut, aq më lehtë kryhen punët ilegale, sepse serbët nuk do të mendonin që pikërisht afër kazermës së tyre do të kalonte një teknikë e tillë që më vonë do të emetoj fuqishëm zërin e luftës çlirimtare. Nga këndej rruga vazhdon drejt Livoçit të Poshtëm, fshatit Pasjak që shtrihet në të dal të Gjilanit, magjistralen Gjilan – Prishtinë, kalon Llabjanin dhe në Slivovë kthen rrugën në drejtim të Marecit, për të gjarpëruar rrugëve të malit dhe për të rënë në magjistralen Prishtinë – Leskoc në fshatin Keçekollë, te sharra e drurëve, pronë e Ibrahim Osmanit i cili edhe duhej ta pranonte aparaturën. Magjistralen Gjilan – Llabjan – Slivovë atë natë do ta kontrollonin tri vetura të njësiteve të UÇK-së nga Gjilani, lehtë të armatosura dhe  të cilat tashmë kishin krijuar përvojën e vëzhgimit të tillë si dhe kishin fituar guximin e përballjes eventuale me forcat serbe.

Islam Berisha nga Slivova do të Kalonte nëpër terrenin a Marecit ku po ashtu tanimë ishin njësitet e para të UÇK-së Nënzonës Operative të Karadakut. Të papriturat mund të ndodhin, por ne konsideronim se aty futej në tampon zonë, ku  UÇK-ja akoma nuk ishte konsoliduar dhe nuk ishte bërë publike por as forcat serbe nuk e kontrollonin dot. Këtë vakuum, Islam Berisha do të dinte më së miri ta shfrytëzonte, duke e vërë këtë shërbim në të mirë të luftës çlirimtare dhe çështjes kombëtare të përgjithësi.

….

Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i LPK- KRR Preshevë,  udhëheqës i Zonës së Tretë, më vonë Batalioni Mbështetës i SHP UÇK-së “Korridori i Furnizimit”, Nënkryetar dhe zëdhënës i Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

1  Autori është ish komandant i Njësiteve ushtarake të UÇK-së në Preshevë, Gjilan dhe Kumanovë të strukturuara në Zonën e Tretë Operative të UÇK-së, më vonë Batalioni Mbështetës i SHP të UÇK-së. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme e Republikës së Kosovës, në shtator të vitit 1999  i japin gradën e luftës Kolonel dhe e emërojnë në pozitën e  zv. Komandantit të Zonës së 6 Mbrojtëse të TMK-së. Aktualisht është Drejtor i Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.