Kumanova ndau 1 milion denarë ndihmë Turqisë dhe Sirisë

Këshilli i Komunës së Kumanovës sot në një seancë të jashtëzakonshme vendosi të ndajë 1 milion denarë ndihmë për popullatën e vuajtur nga tërmeti katastrofik në Turqi dhe Siri.

Vendimi është marrë unanimisht nga 27 këshilltarët e pranishëm.

“Mjetet janë nga Buxheti i Komunës së Kumanovës për vitin 2023, nga rezervat rrjedhëse. Mjetet në vlerë prej 1.000.000 denarë do të shpërndahen nga 500.000 denarë për të dyja shtetet”, thuhet në propozim-vendimin drejtuar Këshillit.
Komuna e Kumanovës tashmë ka vendosur kontakte me përfaqësitë diplomatike dhe paratë do t’i derdhen në llogaritë që do t’u dorëzohen atyre sapo të publikohet vendimi në Gazetën Zyrtare.