Kumanova bëhet me qendër rinore

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, sot mori pjesë në diskutimin me temën “Sa të rinjtë nga Kumanova janë të njoftuar me shërbimet rinore të parashikuara në Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore”, organizuar nga Qendra për Dialog Ndërkulturor.

Dimitrievski në fjalimin e tij, theksoi se të rinjtë janë pjesë përbërëse e shoqërisë dhe duhet t’u jepet mundësi më e madhe për të marrë vendime.

“Të gjitha projektet rinore lokale në Kumanovë i realizojmë bashkë me ta. Gjëja më e rëndësishme është që të ketë vazhdimësi në punë, por edhe pavarësi në funksionimin e politikave rinore. Kumanova është komuna e parë në të cilën është hapur qendra e parë rinore dhe aktualisht jemi në fazën përfundimtare të hapjes së Zyrës për Rininë. Plani ynë i punës parashikon hapjen e një Tech Center që do të përdoret për shkëmbimin e informacionit, por edhe si një qendër biznesi rinor ku të rinjtë do të vinin me ide inovative për zhvillimin e disa bizneseve të reja që lidhen me zhvillimin e teknologjive të reja” tha Dimitrievski.

Ai shtoi se të rinjtë janë në fokus të Komunës së Kumanovës dhe se bashkërisht do të përmirësojnë jetën e të gjithëve.