“Kulturë” të madhe përmes derës së vogël

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Në radhët e shoqërisë shqiptare ka shumë ngatërrestarë, që turbullojnë dhe gjymtojnë perspektivën. Prapështitë i bëjnë: tregtarët që janë shndërruar në botues e shkrimtarë, mësuesit në militantë të subjekteve politike, hoxhallarët në politikanë e kështu me radhë. Pra, kemi një përzierje fatkeqe, e cila që moti ua ka hapur shtegun atyre që për një grusht lekësh, ia kanë mësyrë topitjes së mendimit shqiptar dhe fragmentarizmit të kulturës shqiptare.

Sot jemi dëshmitarë të plagjiaturave në të gjitha segmentet që e përbëjnë kulturën, sot përfundimisht kemi më shumë botime se sa lexues, kemi teatër të dirigjuar, shumë ekspozita e pak publik, shumë amatorizëm e pak profesionalizëm, pastaj me bollëk injorancë e diletantizëm. Gjithnjë e më shumë na shtohen edhe “kritikët donzhuanë”, por edhe “kritikët e facebookut” që thjeshtë ta fyejnë inteligjencën, duke manifestuar një përçmim që në kushte normale nuk do lejohej fare.
Qesharakë bëhen sidomos ata individë që duke hyrë përmes derës së vogël, tentojnë të bëjnë “kulturë” të madhe. Është një rregull (ndoshta) i pashkruar, por askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të kulturës shqiptare, pa u legjitimuar me vepra të qëndrueshme. Sepse, është njësoj si ta faktorizosh hiçin. Shoqëria shqiptare sot është përplot me pretendentë të tillë që marrin yryshin për t’i realizuar “ëndrrat letrare, muzikore, teatrale” e shumë të tjera, por pa dalë nga korniza e analfabetizmit.

Injoranca, dredhia dhe mashtrimi janë karakteristikat e para identifikuese të maskarenjve edhe në lëmin e kulturës, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës “patriotike- politike”, mbajnë leksione atdhe-dashurie dhe paralajmërojnë se janë të gatshëm ta marrin “fronin” e shpëtimtarëve. Edhe ashtu kultura shqiptare gjithnjë e më shumë ka filluar t’i ngjajë arenës së cirkut. Përjashtimi i rregullave të natyrshme, mbase dhe normale, është një tendencë e rrezikshme që bën jo vetëm banalizimin e kulturës shqiptare, por edhe shndërrimin e saj në një skenë humori të zi. E po këtë e bëjnë vetëm palaçot, të cilët duke qenë të maskuar, mendojnë se askush nuk është në gjendje t’i identifikojë siç duken në realitet…Por, është pikërisht vetë realiteti që i demaskon dhe herë – herë i lë lakuriq…