Kultivonte bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, bie në pranga 23-vjeçari në Kurbin

Një 23-vjeçar në Kurbin është arrestua ditën e sotme pasi kultivonte bimë narkotike në oborrin e banesës së tij.

Sakaq, blutë bëjnë me dije se gjatë kontrollit fizik në banesën e 23-vjeçarit, janë gjetur dhe asgjësuar 23 bimë narkotike.

Njoftimi i policisë

Kurbin/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, në fshatin Shpërdhet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 23-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve të zhvilluara në kuadër të planit operacional “Koordinata”, duke përdorur edhe dronë, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin N. A., 23 vjeç, banues në fshatin Shpërdhet, Kurbin, i cili dyshohet se ka kultivuar 23 bimë narkotike në oborrin e banesës së tij.

Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni policor antikanabis “Koordinata” vijon pa ndërprerje, në të gjithë territorin e vendit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.