Kulti i telegrafit: e përbashkëta e Esat Toptanit dhe Hashim Thaçit

Historia tashmë i ka argumentuar rrugët që ndoqi Esat pashë Toptani në karrierën e tij politike. Ai, në fakt, ka pohuar vetë, se si ditën që dorëzonte Shkodrën (1913), njeriu i tij i besuar në Triste merrte në dorëzim gjysmë milioni franga ari. Ky pazar i pështirë i këtij pashai me Knjaz Nikollën tashmë është i stivuar në arkivat e shtetit, por edhe i bërë publik.

Një pazar i ngjashëm duket të jetë bërë edhe për Mitrovicën dhe tërësisht me Veriun, çka merr nga Ibri e lart, pikërisht gjatë Konferencës së Rambujesë. Historia do ta dëshmojë shumë shpejt këtë pandehmë tonën. Por në vend të gjysmë milioni frangash ari, si dikur për Esat Toptanin, kësaj radhe fjala është për disa dhjetëra miliardë dollarë, siç përflasin gjithandej të ashtuquajturit “anibal laborator”, që shërbenin me kohë si këshilltarë të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, që në opinion njihen si ish-bashkëpunëtorë të inteligjencës ose pinjollë të tyre.

Si dikur Esat Toptani, që do të ndërtonte pushtetin e vet duke marrë në konsideratë “rivalitetin mes Italisë e Austro-Hungarisë”, Hashim Thaçi po tentonte hapur që të mbetej në pushtet e, mbi të gjitha, t’i shmangej daljes para drejtësisë për krime lufte etj., duke tentuar të shfrytëzojë rivalitetin mes SHBA-së dhe BE-së.
Esat pashë Toptani ishte i bindur se miqësia e tij me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë nuk do t’i mjaftonte për ruajtjen e pushtetit, prandaj ai do të lidhej edhe me Italinë.

Edhe Hashim Thaçi, sidomos pas promovimit të qeverisë “Kurti”, e kishte të qartë se miqësia e tij me Aleksandar Vuçiqin nuk do t’ i mjaftonte për mbetje në pushtet e as për t’iu shmangur Gjykatës Speciale që vetë e kishte krijuar (sic!). Prandaj, ai do të shfrytëzojë paratë e shtetit për të paguar lobistë gjithandej, sidomos në Angli, në Francë e SHBA, për ta lidhur fatin e tij me D. Trump-in dhe njerëzit e tij.

Esat Toptani dhe Hashim Thaçi kanë edhe një të përbashkët tjetër: Kultin e telegrafit. Siç dëshmon gazetari italian që e kishte intervistuar Esat Toptanin, Italo Sullioti, ai, pra Esati, “nuk donte të linte gjurmë të asaj që thoshte e të asaj që bënte. Dhe në këtë kuptim, ai e dinte mirë se telegrafët i merr era, kurse scripta manet“.

Në seancën e 25 marsit në Kuvendin e Republikës, Albin Kurti dëshmonte se pse ai është i bindur që marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe e Aleksandar Vuçiqit për aneksimin e Veriut Serbisë ekziston, pavarësisht se ajo mund të mos ishte e shkruar e zeza në të bardhë. Por, le të kujtojmë edhe një fakt: për arritjen e saj ishin përdorur harta dhe ishin zënë në gojë kuota të larta, që do të shërbenin për shënjimin e memorizimin e asaj marrëveshjeje, por në to do të mungojë firma e Hashim Thaçit.

Në prag të fundit të jetës së tij, Esat Toptani, siç pohon ambasadori francez në Romë, Barrere, ai do të bëhej “një klient i padobishëm dhe kompromitues” [A. Italo Sullioti: 1914] edhe për vetë Francën.

Pamjet që dhanë mediet vizive më 30 mars 2020 nga takimi i Thaçit me ambasadorët e Kuintit (SHBA, Francë, Gjermani, Britani e Madhe e Itali), nuk linin shpresë se ai shumë shpejt do të bëhej një “klient i padobishëm dhe kompromitues”. Por, derisa ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në udhëtimin e planifikuar më 27 qershor 2020 për në Uashington, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se “më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Pas këtij publikimi, që dukej se ishte në kundërshtim me vullnetin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, Thaçi u shndërrua në një “klient i padobishëm dhe komprometues”.

Ish-ambasadori amerikan në Moskë në periudhën fill pas Luftës së Dytë Botërore. George Kennan, i njohur më pas si një nga historianët më konservatorë amerikanë, në shkurt 1946, në raportin e tij, përveç të tjerash, theksonte: “Rreziku më i madh që na kanoset në përballjen me komunizmin sovjetik, është atëherë kur ne do të lejojmë që të bëhemi të njëjtë me ata me të cilët kemi punë”.

Shoqëria kosovare, sidomos struktura e SHIK-ut, në përballje me mbetjet e UDB-së, ra pikërisht në grackën për të cilën i paralajmëronte shoqëritë liberale Georg Kennan, se duhej t’i shmangeshin me çdo çmim. Kjo strukturë (SHIK-u), duke u shkrirë në PDK, fillimisht imitoi simotrat e saj serbo-ruse, kapi shtetin dhe e identifikoi partinë me shtetin! Me këtë akt ajo defunksionalizoi tërësisht Republikën, meqë ia nënshtroi idealin e ndërtimit të shtetit interesave të grupit, që me kalimin e kohës e shndërroi në korporatë.

***

Nuk ishte i rastësishëm unifikimi i forcave reaksionare tok me Listën Serbe më 25 mars 2020 për ta rrëzuar qeverinë “Kurti”. Ky unifikim ka bazë reale historike e shoqërore, ekonomike e sociale…

Viti 1948 shënonte për Europën Perëndimore, sidomos për Francën dhe Anglinë, fenomenin e zgjimit të ndërgjegjes së të shtypurve, vegjëlisë, që me të drejtë më pas u njoh edhe me emrin “Pranvera e popujve”. Këtë lloj zgjimi, që do të mund të krahasohej me atë të “Pranverës së popujve” të Europës Perëndimore (1848), shoqëria kosovare duket se e përjetoi në javët e para të vjeshtës së 2019-ës, ndërkaq më 6 tetor ai zgjim i vonuar do të shpërthejë si vullkan i pashuar.

Olhokratët tanë që sunduan këto dy dekada pas çlirimit nga Serbia, përmes kursit të pabarazisë që aplikuan dhe demonstrimit publik të injorancës, kishin shkaktuar irritim masiv në popull, sidomos te rinia.

Më 14 shkurt 2021, ashtu si pas “Pranverës së popujve” më 1848 në Perëndim, kur do të bëheshin tok “të gjitha fuqitë e Europës plakë, Papa dhe Cari, Meterniku dhe Gizoja, radikalët francezë dhe policët gjermanë, që ishin bashkuar për të bërë “luftën e shenjtë” kundër “fantazmës” së socialdemokracisë”, edhe olhokratët tanë të të gjitha ngjyrave, që po e përjetonin humbjen keq dhe kishin rënë në panik, u bënë bashkë për ta luftuar Lëvizjen “Vetëvendosje”, këtë frymë të socialdemokracisë moderne shqiptare, duke penguar ecjen e Republikës sonë në marshin e përbashkët europian për promovimin e demokracisë deliberale./Pamfleti