Shkruan: Ismail Arsllani
Në foto, më poshtë, është paraqitur projekti ideor për rindërtimin e Kullës së Sahatit në Tetovë, që është premtuar shumë vjet më parë dhe deri më sot (2026) nuk është realizuar. Kjo kullë e sahatit është ndërtuar në fillim të shekullit XVII nga ana e Mehmet Pashë Kaçanikut, i cili është përkujdesur për të gjitha nahijet e Vilajetit të Kosovës, ku ka qenë e përfshirë edhe Tetova. Kulla e Sahatit ka qenë si dhuratë prej tij për kasabanë e Tetovës (Kallkandelen).
Ky sahat u ka shërbyer vendësve mbi tre shekuj, për të treguar se duhet vlerësuar kohën dhe koha matet me orë (sahat). Kulla e Sahatit në Tetovë, përveç funksionit të saj primar, ka shërbyer edhe për diçka tjetër, pak të njohur deri më tash. Në majën e Kullës së Sahatit, gjatë Perandorisë Osmane, ka qëndruar një roje, i cili ka vrojtuar nga lart kasabanë anembanë, nëse paraqitet tym zjarri apo zjarr në ndonjë pjesë, për të alarmuar popullatën, duke shtënë në qiell tri herë nga pushka e tij. Kjo ishte një shenjë për njerëzit se ekziston një rrezik, që të dalin në ndihmë atje ku kishte nevojë.
* * *
Sahat-Kulla e dikurshme e Tetovës, kjo emblemë e njohur e qytetit, e cila u fashit nga faqja e dheut gati një shekull më parë, që ishte dhe mbeti në kujtesën e qytetarëve si një nga monumentet e rëndësishme të arkitekturës osmane, e cila qëndronte stoike më se një shekull në lagjen qendrore të qytetit, si një trashëgimi me vlerë kulturore-historike, një kohë pretendohej se do t’i kthehet një ditë bazamentit të vet. Në të kaluarën, disa herë janë ndërmarrë nisma për rikonstruktimin e saj, por ato kanë mbetur vetëm projekte në letër. Në kohën kur ishte ministër i Kulturës të RMV-së (2019), Hysni Ismaili, u dhanë zotime se një organizatë e fuqishme ekonomike TIKA dhe qyteti i Konjës nga Turqia, do të ndihmojnë në financimin e ringritjes së Kullës së Sahatit në lokacionin e mëparshëm, në bazamentin e saj i zbuluar më herët, afër Xhamisë së Sahatit, e cila ka marrë emrin prej Kullës së Sahatit, sikundër që ka marrë po këtë emër e tërë lagjja.
Duhet kujtuar se Xhamia e Sahatit është një ndër më të vjetrat në Tetovë, që është ndërtuar në vitin 1486 nga ana e Abdulselam Muslihuddinit. Këto të dhëna janë marrë nga mbishkrimi i varrit, i cili gjendet në oborrin e xhamisë. Me rindërtimin e Kullës së Sahatit, në njëfarë dore do të kompletohej ky kompleks kulturor-historik i qytetit dhe do të kthehej imazhi i dikurshëm atraktiv i kësaj lagjeje.
Një nismë për rindërtimin e Kullës së Sahatit është ndërmarrë edhe më parë, kur drejtor i Qendrës për Trashëgimi Kulturore të RMV-së ishte dr. Behixhudin Shehapi, dhe pikërisht atëherë u gjetën edhe themelet e këtij objekti me peshë në fushën e arkitekturës së vjetër osmane. Afër Kullës së Sahatit ka pasur edhe një Medrese, e cila është rrënuar në vitin 1926. Në prononcimin e tij, historiani i artit, dr. Behixhudin Shehapi, lidhur me këtë objekt dallues të qytetit, shton edhe një fakt tjetër historik: se Kulla e Sahatit është ndërtuar në kohën e Mehmet Pashë Kaçanikut, i cili ka qenë mbrojtës i kufijve ose “serhad muhafiz” i disa nahijeve, që më vonë njihen me emrin Vilajeti i Kosovës. Në vakëfnamenë e shekullit XVI, përmendet se Mehmet Pashë Kaçaniku, përveç tjerash, ka qenë “legator” i Kullës së Sahatit në Tetovë. Ky fakt i jep një rëndësi të veçantë këtij objekti, ngase është ndërtuar me vullnetin e pashait që ka pasur prejardhjen shqiptare.
* * *
Disa vjet më parë u përfol se rindërtimin e këtij objekti monumental nga shekulli XVI, pritej ta financonte Ministria e Kulturës e Turqisë, ndërsa punimet do t’i zhvillonte Qendra Nacionale Konservuese e Maqedonisë. Me projektin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, që duhej të realizohej në kuadër të marrëveshjes bilaterale të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Tetovë pritej rindërtimi i Sahat-Kullës, të cilën me ekspertët e vet duhej ta zbatonte Qendra Nacionale Konservuese (QNK) e Maqedonisë. Në ndërkohë ishte arritur edhe pëlqimi nga ana e kryetarit të Komunës së Tetovës dhe organet e tjera të saj, që ndërtimi të bëhet në vendin ku ka qenë më parë dhe ky të mos pësojë ndonjë ndryshim me planin urbanistik. Por, ky shestim nuk u realizua dhe mbeti vetëm si premtim në letër.
Pas rikonstruktimit, do të pasonte valorizimi i kësaj kulle në një monument historik, ndaj dhe pos veçorive origjinale nuk do të tolerohej asnjë aplikacion tjetër, që del nga propozimet e disa subjekteve vendore rreth ndriçimit. Ora e madhe e Sahat-Kullës, sipas dr. Shehapit, do të sigurohej nga atelietë speciale që merren me prodhimin e mekanizmave të këtilla në Zagreb dhe Austri.
Ekspertë të Qendrës Kombëtare Konservuese nga Shkupi, të cilët në dhjetor të vitit 2005 filluan kërkimet për gjetjen e themeleve të vjetra të Sahat-Kullës në Tetovë, pas shumë punëve kërkimore arritën t’i gjejnë disa themele, që përcaktojnë pozitën e këtij objekti monumental, afër sheshit të qytetit. Sipas gjurmëve të gjetura, pozicioni i Sahat-Kullës është veri-jug, shumë afër parkut të vogël në lagjen e Sahatit. Në fillim ishin gjetur vetëm themelet e murit të pjesës jugore të Sahat-Kullës, ndërsa më vonë, duke gërmuar, ekspertët arritën t’i gjejnë edhe pjesët veriore të murit të dikurshëm të këtij objekti.
Ky projekt duhej t’iu dërgohej autoriteteve të Komunës së Bajram-Pashës në Stamboll dhe Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Republikës së Turqisë, të cilat ishin zotuar se do ta financonin realizimin e këtij projekti, bashkë me Urën e Gurit, një objekt monumental i njohur si “Ura e Kazazëve”, që është rrënuar gjatë vërshimeve të lumit Shkumbin në vitin 1979.
Ministrit i atëhershëm turk i Kulturës, Atilla Koç, pas një vizite që kishte bërë në Tetovë nga fundi i vitit 2005, ishte zotuar se do të rindërtojë Sahat-Kullën dhe Urën e Gurit mbi Shkumbin, afër shkollës së vjetër të mjekësisë.
Duke kërkuar themelet e Sahat Kullës, ekspertët e kësaj qendre konservuese të Maqedonisë kanë zbuluar edhe një pjesë të rrënimeve të Medresesë së Xhamisë së Sahatit, e cila ka ekzistuar në këtë kompleks të monumenteve kulturore-historike, pranë parkut të vogël të qytetit.
Me ngritjen e Sahat-Kullës, Tetova do të fitonte statusin e qytetit që dikur e ka pasur, sepse qytetet me sahat-kullë janë quajtur shehër (qytet) dhe jo kasaba (qytezë), si standarde të Perandorisë Osmane, në mënyrë që edhe Tetovës t’i kthehej ajo famë historike që e ka pasur.
* * *
Për ndërtimin e Sahat-Kullës në Tetovë ekzistojnë disa burime, që dallohen njëra prej tjetrës. Sipas një burimi, ky objekt monumental në Tetovë është ndërtuar nga Mehmet Pashë Kaçaniku, në fund të shek. XVI dhe fillimi i atij XVII, si dhuratë për Kasabanë e Tetovës, të quajtur nga osmanët si Kallkandelen. Nuk ka dokumente apo fotografi e plotë, e pa dëmtuar e Sahat-Kullës, andaj sipas historianëve të artit, ky objekt qenka i lartë 40 metra, i ndërtuar me blloqe shkëmbinjsh nga biguri dhe mermeri, ndërsa në maje me dru. Sipas një burimi tjetër, Sahat-Kullën e ka ndërtuar Goxha Rexhep Pasha i Tetovës, nga fundi i jetës së tij, në dekadën e parë të shekullit XIX.
Sido që të jetë, Sahat-Kulla është rrënuar në vitin 1933, me vendimin e Këshillit të Qarkut të Tetovës, me një arsyetim banal se penguaka në punën e njëfarë Simo Dentistit, i cili e ka pasur shtëpinë afër. Ai ngre nismën si anëtar i Këshillit të Qarkut, por, kuptohet, se ka qenë një rrënim i paramenduar, me qëllim që nga sheshet e qyteteve të eliminohen elementet arkitekturale osmane dhe islame, për të nxitur edhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Paraprakisht, në vitin 1926, është rrënuar edhe Medreseja pranë Sahatit, sikundër që kanë dashur ta rrënojnë edhe Xhaminë e Sahatit në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, kur disa tetovarë me ndikim fetar kanë shkuar për t’u ankuar deri në Beograd dhe e kanë shpëtuar xhaminë.
Sipas të gjitha gjasave, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e RMV-së, në bashkërenditje me autoritetet e Komunës së Tetovës, do të arrijnë të sendërtojnë një ide të vjetër, me financim të qytetit të Konjës së Turqisë, për ringritjen e Kullës së Sahatit. Me këtë, Tetovës do t’i shtohet edhe një pikë referimi mbi trashëgiminë kulturore-historike dhe një ambient, pos Xhamisë së Pashës dhe Hamamit të Vjetër, për joshjen e turistëve që vizitojnë qytetin e Tetovës. /I.A./
Foto:
1. Pamja e Kullës së Sahatit sipas një projekti ideor të rikonstruktimit (përpunuar nga IA).
2. Kulla e Sahatit gjysmë e rrënuar në vitin 1920.
3. Një imazh i vjetër i Tetovës, me Kullën e Sahatit.






