Kujt s'(po) i ngutet krijimi i institucioneve?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka shpallur rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndërkohë që në disa komuna prokuroria ka nisur hetime lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

Në këtë situatë, mbetet e paqartë se kur pritet krijimi i institucioneve të reja të Kosovës, derisa procesi zgjedhor po shoqërohet me zhvillime ligjore.

Lidhur me këtë çështje kanë folur analistët në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.

Gazetari Ardian Gaxheri tha se, sipas tij, procesi zgjedhor ka qenë i komprometuar.

“Për mendimin tim këto zgjedhje s’kanë lidhje me zgjedhje, në shumë komuna ke njerëz të arrestuar, domethënë është komplet një proces i komprometuar dhe vjedhje masive e votave”, tha ai.

Në anën tjetër, opinionisti Azdren Shala tha se pret që institucionet të formohen edhe nëse hetimet vazhdojnë.

“Unë po shpresoj se deri kah data 10-15 shkurt me u certifiku zgjedhjet, dhe mendoj se certifikimi i zgjedhjeve nuk duhet me qenë peng i hetimit të prokurorisë, sepse ky hetim ka me zgjat ma shumë sesa nevoja me u certifiku dhe me u konsolidu tek ne institucionet”, tha Shala.