Kujdes, për shkak të zjarreve nga 1 korriku do të ndalohet lëvizja në male pa leje

Në Maqedoninë e Veriut që nga 1 korriku do të ndalohet lëvizja nëpër male pa pasur leje përkatëse, kjo për shkak të zjarreve të cilat përhapen gjatë sezonit veror, raporton Portalb.mk.

Ky vendim është marrë nga Qeveria, ngjashëm si në vitet paraprake për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret në hapsirat malore.

Drejtori i drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov ka thënë se institucionet janë të përgatitura dhe të organizuara për sezonin e zjarreve.

“Të gjitha resurset që i posedojmë, duke filluar nga ato njerëzorë por edhe automjete, aeroplanë dhe helikopterë do ti kemi në dispozicion. Për atë se a mjaftojnë këto resurse, sigurisht që jo. Shtete shumë më të forta ekonomikisht se ne, siç është Greqia dhe Turqia, çdo verë kërkojnë ndihmë për shkak të zjarreve”, tha Angellov.

Ai shtoi se edhe këtë verë resurset nuk do të mjaftojnë, ai thekson se është e pamundur që shteti të ketë aq resurse sa shtetit do t’i nevojiten gjatë verës.

Autoritetet kanë apeluar te qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në natyrë dhe të raportojnë rastet që mund të paraqesin rrezik për pyjet.