Kufiri Maqedoni-Shqipëri nuk “bie”

Në fundjavën që sapo lamë pas, kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekzistonte. Të paktën për qytetarët e dy shteteve, të cilët kalonin pa i ndaluar askush për kontrollore dokumentesh.

“Në asnjë moment nuk na kërkuan dokumentet, kaluam shumë shpejt, pa asnjë pikë problemi”.

“A ju kërkuan dokumentet? -Jo në kufi jo, vetëm këtu në kontrollin rutinë që na e bënë”.

Kjo lehtësi vjen pas marrëveshjes së nënshkruar më 20 qershor mes Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, që parasheh se çdo fundjavë dhe çdo festë kombëtare kufiri nuk do të ekzistojë. Por kjo nuk vlen edhe për qytetarët e shteteve të tjera, mes tyre edhe të Maqedonisë së Veriut, të cilët do të duhet të presin në radhët për kontroll dokumentesh.

Zëvendësministri i Brendshëm, Nazim Bushi, i tha TV21 se për momentin nuk ekziston ndonjë plan që mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të ketë marrëveshje të njëjtë siç tashmë e ka Shqipëria me Kosovën.

“Ne si MPB më datë 10.06.2021 kemi nënshkruar Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për kontrolle të përbashkëta kufitare në vendkalimin kufitar Qafë Thanë me ONE STOP SHOP, kurse me MPB e Republikës së Kosovës jemi në fund të përmbylljes së negociatave për të pasur marrëveshje të njëjte sikurse me Republikën e Shqipërisë, por jo sikurse që e kanë Marrëveshjen Republika e Shqipërisë me Republikën e Kosovës”- deklaroi Nazim Bushi, Zv/ministër i Brendshëm.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Brendshme dhe nga Qeveria e Shqipërisë, por nuk na u dha asnjë përgjigje. Përndryshe, kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë kësaj fundjave e uli thuajse tërësisht fluksin në kufi, duke krijuar kështu lehtësi për qytetarët e Kosovës zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet e verës.