Ku u tretën 1308 shqiptarë nga komuna e Zelenikovës

Shkruan: Ridvan Ismaili

Pothuajse në çdo Regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e Veriut është prezente palogjikshmëria sa i përket numrave dhe shifrave të caktuara statistikore. Shembull, nëse ju kthehemi rezultateve nga Regjistrimi i vitit 2002 shohim se një palogjikshmëri të tillë kishim me numrat rreth fshatit Gërçec të komunës së Sarajit. Edhe pse aty gjatë vitit 2002 jetonin mbi 2500 banorë të përkatësisë etnike shqiptare, në rezultatet përfundimtare zyrtare figuronte të jetë vetëm 1 banor, edhe ai na doli të jetë i përkatësisë etnike maqedone. Ndërsa, në Regjistrimin e fundit të popullsisë së vitit 2021 ajo që bie në sy është diskrepanca ndërmjet shifrave dhe përqindjeve lidhur me komunën e Rajonit të Shkupit – Zelenikovë, dhe prezencës së shqiptarëve atje.

Në statistikë ekziston formula e 𝑽𝒍𝒆𝒓𝒆̈𝒔𝒊𝒎𝒊𝒕 𝒕𝒆̈ 𝒑𝒐𝒑𝒖𝒍𝒍𝒔𝒊𝒔𝒆̈ e cila mbështetet në shifrat e popullsisë së regjistruar në Regjistrimin e fundit (në rastin tonë në Regjistrimin e realizuar të vitit 2002) dhe mbi këtë shifër shtohet numri i të lindurve përgjatë viteve dhe hiqet numri i të vdekurve, si dhe bashkangjitet bilanci migrues. E gjithë kjo ndodh pasi që në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (dhjetëvjeçare/njëzetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, komune apo vendbanimi dhe vlerësimi i popullsisë është më se i nevojshëm për nxjerrjen e indikatorëve (treguesve) të rëndësishëm.

Mirëpo, disa indikatorë të kësaj periudhe, mes dy Regjistrimeve të popullsisë, sikur nuk përputhen aspak me rezultatet përfundimtare nga Regjistrimi i popullsisë 2021. Sidomos kur kemi të bëjmë me fushën e demografisë, konkretisht me shifrat e popullsisë shqiptare në këtë komunë.

I trajtojmë dy komponentet kryesore demografike, edhe atë:
1. lëvizjen mekanike dhe
2. statistikat vitale

1.Bilanci migrues i popullsisë shqiptare të Zelenikovës në periudhë mes dy Regjistrimeve

Vitet Numri i banorëve
⬇️ ⬇️
Të shpërngulur (2004-2020)= 152
Të ardhur (2004-2020)= 66
Bilanci migrues (2004-2020)= -86

2.Shtimi natyror i popullsisë shqiptare të Zelenikovës në periudhë mes dy Regjistrimeve

Viti Lindje/vdekje=shtimi natyror

2003* 29/4=25
2004 36/7=29
2005 33/7=26
2006 39/20=19
2007 46/11=35
2008 40/11=29
2009 42/7=35
2010 43/9=34
2011 48/6=42
2012 36/11=25
2013 48/10=38
2014 43/8=35
2015 44/10=34
2016 63/9=54
2017 37/5=32
2018 63/10=53
2019 44/5=39
2020 35/16=19
=
TOTALI= +603 banorë shqiptarë

TOTALI I BANORËVE SHQIPTARË NË ZELENIKOVË SIPAS VLERËSIMIT TË POPULLSISË 2020:
Regjistrimi 2002 + shtimi natyror + bilanci migrues (2003-2020) =

1206 + 603+(-86)=1723 banorë

Por, përkundër fakteve që ekzistojnë, numri përfundimtarë i popullsisë shqiptare në Zelenikovë nga Regjistrimi i vitit 2021 na doli për katër (4) herë më i vogël krahasuar me numrin e popullsisë që na del nga vlerësimi i popullsisë mes dy Regjistrimeve. Ose thënë ndryshe, nga 1206 banorë shqiptarë që kishim në Regjistrimin e vitit 2002, apo nga 1723 banorë shqiptarë që kemi nga vlerësimi i popullsisë mes dy regjistrimeve, në Regjistrimin e fundit të vitit 2021 rezultoi të kemi vetëm 415 banorë shqiptarë. Pra, nga 30% në vitin 2002 biem në 12.3% në vitin 2021.

Në bazë të statistikave të OKB-së, vendet e botës mund të ndahen në disa grupe sipas numrit të lindjeve në vit për 1000 njerëz. Maqedonia bie në grupin nga 10-20 lindje në 1000 banorë.

Duke iu referuar shkallës së lindjeve në botë, në vitin 2021 kishte një indeks prej 17.8 lindjesh për 1000 mijë banorë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ky numër sillej në 10.8 lindjesh për 1000 mijë banorë.
Nigeria mban pozitën e parë me 36.4 sa i përket shkallës së lindjeve në 1000 banorë.

Nëse marrim mesataren e lindjeve të foshnjave shqiptare në këtë komunë brenda vitit, numri i tyre sillej rreth 40 foshnja të lindura gjallë. Ndërsa, vitin që lam pas kishte 38 foshnja të lindura gjallë të përkatësisë etnike shqiptare.

Të shohim normën e lindjeve të foshnjave shqiptare në këtë komunë:
numrin e lindjeve (38 foshnja) e ndajmë me popullsinë totale (415), dhe pastaj e shumëzojmë me numrin 1000:

38/415×1000= 91.6

Pra, është e palogjikshme që indeksi i normës së lindjeve të jetë 91.6, kur dijmë se në Maqedoni ajo sillet nga 10-20 lindje në 1000 banorë.
Shume më e logjikshme kishte me qenë nëse numrin e foshnjave (38) pjestohet me numrin e dalur nga vlerësimi i popullsisë mes dy regjistrimeve (1723):

38/1723×1000=22

Nëse hedhim një paralele mes dy komunave fqinje, atë të Zelenikovës dhe Sopishtes, shohim palogjikshmëri tek indeksi i normës së lindjeve të bashkësive të ndryshme etnike:

Shembull:
Kemi 34 lindje në vit të foshnjave përkatësisë etnike maqedone në 4045 banorë – Sopishtë krahas
38 lindjeve në vit të foshnjave të përkatësisë etnike shqiptare në 415 banorë – Zelenikovë

Situatë gati të njejtë, sikur kjo e komunës së Zelenikovës, e kemi edhe me numrin e popullsisë shqiptare në dy komuna tjera të Rajonit të Shkupit, Çuçer Sandevë dhe Petrovec. Në të trija komunat, popullsia shqiptare ka rënë nën 20% dhe rrezikon të humb të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.