Kthimi te marrëveshja e 2015!

Shkruan: Halil Matoshi

Kryeministri kosovar Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksadar Vučić vajtën në Bruksel jo me draft-statute realiste por me pamfletje politike. Ashiqare draftet e tyre për Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk do të pranohen. Duket se me ndërhyrjën e ShBA do të jetësohet Marrëveshja e 2015 me pak redaktime, duke e përmbledhur nbrenda frymës Kushtetuese, për t’ua ruajtur fytyrën dy liderëve, që ndryshe flasin me popujt e tyre etnonacionalistë e ndryshe me Perëndimin. Kryeministri Kurti nuk e ka shkarkuar më herët Ekipin Menaxhues të propozuar nga Goran Rakić, në Qeverinë Hoti, që mos t’i prishte raportet me ministrin e tij, për të cilin  atëbotë deklaronte se “është konstruktiv në barrikada”!?

Deputetja e ‘Skupština-s’ serbiane, Danijela Vujičić – tash e hetoi edhe Kurti – ishte në konflikt të hapur Interesi me postin, sepse ishte betuar para një Kuvendi që nuk e njeh shtetin kosovar dhe e trajton si territor të Serbisë.

Porse  Qeveria e Kosovës duhej ta dërgonte draftin e saj – sipas marëveshjës së parimeve të vitit 2015, për testin kushtetues duke mos lejuar maskaradë në Bruksel.

Qeveria e Kosovës sipas pikës 10 të Marrëveshjës së Brukselit dhe Ohrit, nëse përfillët konstitucioni i shtetit e jo retorikat etnonacionaliste, sërish duhet ta emërojë një Ekip Menaxhues, sipas Planit Zbatues, të vitit 2013 të përbërë nga katër serbë të komunave të veriut kosovar.

Por ato/ata duhet të jenë lojalë ndaj Republikës së Kosovës, ngase Asociacioni si e drejtë burimore rrjedh nga konstitucioni kosovar, nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e jo nga Kushtetuta e Serbisë. Për këtë në diplomacinë publike ekziston edhe letra e ish Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit European për punë të jashtme dhe politika të Sigurisë, Federica Mogherini, që Asociacioni nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit, por mekanizëm kushtetues në Kosovë. Dhe ekzistencën e kësaj letre garance që e kishte kërkuar ish Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, popullistët e pushtetit, pa kujtesë institucionale, e mësuan nga studiot televizive të Prishtinës.

Sëkëndejmi Statuti duhet të shkruhet në Kosovë dhe nga kosovarët – ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, (të marrëveshur me vet Serbinë, 2015) dhe nëse kalon, Qeveria e Kosovës e dekreton Asociacionin, pa e negociuar me Beogradin, Kuvendi themelues i të cilit përbëhet nga asambleistët e zgjedhur të katër komunave të veriut të Kosovës.

Pra, për këtë duhen zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme në veri, në afat optimal, prej tre-katër muajsh. BE-ja ka kërkuar tashmë “djegien” e mandateve të fituara nga shqiptarët në veri, të cilët Kurti sipas sagës së tij të provës, i cilësoi udhëheqës më ‘u’ të vogël!?

Sipas Planit të Zbatimit të Marreveshjes së vitit 2013, i vulosur dhe protokoluar me 23 prill të po atij viti, në pikën 2 të quajtur “Asociacioni/Bashkësia” – ku shpjegohet funksioni i Grupit Menaxhues dhe kohëzgjatja e mandatit të tij – thuhet se mandati nuk përfundon as pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deri ne fund te majit 2013, të dy palët do të krijojnë një Grup Menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, duke përfshirë termat e referencës të përcaktuara nga Komiteti Zbatues. Keto terma do të përfshijnë ndër të tjera hartimin e draft statutit. Grupi do të ketë për detyrë të merret me të gjitha çështjet relevante për themelimin e kētij Asociacioni/Bashkesie dhe për një periudhë të përkohshme do të ushtrojë kompetencat e parapara me Nenin 4 dhe 6 të “Marrëvedhjës së Parë”.

Grupi Menaxhues do të do të themelohet pas miratimit nga autoritetet kompetente të Kosovës. Komiteti Zbatues do të monitorojë punën e Grupit Menaxhues.

Sëkënejmi Albin Kurti me shkarkimin e Ekipit Menaxhues- jo për konflikt Interesi – po kinse nuk ka nevojë për të – ka lënduar Marrëvedhjën e Ohrit dhe ndodhet përballë një përplasjeje të re me partnerët Perëndomor. Kētë e dëshmuan përplasjet me ndërmjetësin e BÉ-së Miroslav Lajčak në mjesin e të enjtes, më 11 maj.

Draftvizioni i Kurtit është kryekëput modeli kroat, një Organizatë Joqeveritare/shoqatë të cilin kryeministri Kurti po mësynë ta shesë përmes formulës “nëse atje u pranua pse jo këtu?”

Mirëpo Kroacia ka dalur nga juridiksioni i RSFJ (Komisioni i Arbitrazhit të Badinterit  (‘Komisioni i Badinterit’) me Deklaratën e 27 gushtit, 1991 në kontekstin e ndërhyrjes në procesin e shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u dha Republikave të drejtën për shkëputje por jo edhe krahinave) e jo nga ai i Serbisë si Kosova dhe sëdyti rregullat e lojës në Marrëveshje së paqes rëndom i përcakton fituesi i luftës!

Kurti vazhdimisht po e shmang pikën 10, sikur të mos Ishte fare pjesë e Marrëveshjës.

Madje edhe zyrtarë e deputetë të tij, po hahen nëpër studio televizive me këdo që pohon se ka Asociacion në Marrëveshjën e Brukselit dhe në sekuencimin e zbatimit në Ohër!?

Kryeministri kosovar duhet ta dijë se modeli kroat është arritur poashtu me një Marrëveshje

(Erdut, 1995) dhe Këshilli i pērbashkët i komunave-Vukovar është i bazuar në Nenin 48 të Ligjit kroat mbi shoqatat (konform me OJQ-të në Kosovë), e për Asociacione të tilla sipas Kushtetutës kosovare nuk negociohet, ato janë të lira për t’u regjistruar, kurdo që rreth një ideje mblidhën tre-katër persona.

Emisari amerikan Gabriel Escobar në anën tjetër, tha se ka mirëkuptim për draftin e serbëve dhe për draftvizionin e Kurtit por themelimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas pikës 10 të Marrëveshjës kurse Lajcak dëshron nga këto dy doumente të arrijë mesin.

Kurti një ditë ka për t’i thënë publikut se e shmangu Republika Srpska-n në Kosovë, (kurse drafti i tij nuk kaloi!) sëkëndejmi “po i duhet“ të zbatojë marrëveshjet e këqija të 2013 dhe 2015, të cilat i ka luftuar tetë vjet me zjarr e tym, me pak përshtatje, që të pajtohet me frymën e Kushtetutës.

Por për kohën e humbur të Kosovës, Kurti as që ka sens.

Krizën në raportet me Serbinë do ta përdorë për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.

A ka kohë Kosova që t’u përshtatët dinamikave breshkane pot kryeneçe të Kurtit!?

Po për Serbinë a ka më kush blenë kohë? A janë lodhur tashmë Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai në detyrë i Malittë Zi Dritan Abazoviç duke i shëbyër “Botës serbe” si zëvendësim për Serbinë e Madhe?

Po “udhëheqësi moral” i Serbisë, Christopher Hill a ka edhe më kurajë që ta tolerojë Vučić-in në dy karrige?

Me gjasë, sëshpejti do t’i thërras dikush në Washington dy liderët ballkanikë, ku nuk do të ketë nevojë që Vučić ta pyes Kurtin se a din serbisht, jo pse e din tashmë se kosovari e flet mirë këtë gjuhë, porse drafti do të jetë i shkruar anglisht dhe do të jetë i modelit “merre ose merre”!