Kthehen në Shqipëri 14 fëmijë dhe 5 gra nga Siri

14 fëmijë shqiptarë dhe 5 gra të bllokuara në kampet e luftës në Siri kanë mbërritur në Shqipëri.

Operacioni për kthimin e tyre është kryer në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe libaneze.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas kthimit në Rinas iu drejtua mediave ku dha detaje rreth operacionit, ndërsa shtoi se do të vazhdojnë me operacionin e radhës për të rikthyer shtetasit shqiptarë që gjenden në kampet siriane.

Rama falënderoi për operacionin gjeneralin Abass Ibrahimc.

“Kjo është ora që përmbyll një operacion të jashtëzakonshëm që na e jep mundësinë që të qojmë drejt shtëpive 19 bashkatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri. Këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë të cilët mundem t’i shkëpusim pas një operacioni të dedikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe dhe nuk diskutohet falë ndihmës së posaçme të konsullin tonë në Liban dhe gjeneralin Abass”, tha ai.

Rama shtoi se grupi i kthyer nuk përbën kërcënim për sigurinë, pasi të gjithë janë gra dhe fëmijë, por tha se brengosëse për shtetin mbetet shëndeti mendor dhe psikologjik i tyre.