KSI propozoi shkurtimin e karantinës për të infektuarit me virusin korona! S’është diskutuar për certifikatat dhe për maskat që vendosin nxënësit gjatë mësimit

Në fillim të javës së ardhshme do të kuptohet nëse izolimi i personave pozitivë me Kovid-19 do të zvogëlohet prej 10 në shtatë ditë. Edhe pse lloji i ri Omikron po përhapet shumë shpejtë, megjithatë kompetentët pohojnë se spitalet në vend ende kanë kapacitete. Në ndërkohë vazhdon apeli te qytetarët të vazhdojnë të vaksinohen.

Rekomandimi për shkurtim të izolimit vjen pas mbledhjes së mbrëmshme të Komisionit për Sëmundje Infektive. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali deklaroi se ky vendim nuk është përfundimtar, sepse, në periudhën e ardhshme gjendja e rasteve të reja do të ndiqet dhe në mënyrë adekuate do të sillen rekomandime dhe vendime, të cilat përfundimisht duhet të miratohen në Qeveri.

Ky rekomandim i Komisionit duhet të parashtrohet në Shtabin e Krizave të hënën, ndërsa të martën duhet të vendoset në seancën e Qeverisë.

Sipas autoriteteve, kapacitetet spitalore në vend për pacientët me kovid janë mbushur rreth 60 për qind, nga aspekti i shtretërve, që do të thotë se spitalet ende kanë kapacitet për mbushje.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë dje njoftuan se në mbledhjen e KSI-së nuk është diskutuar për certifikatat për Covid-19 dhe për mundësinë e heqjes së maskave për nxënësit në shkolla, ndërsa shtojnë se për të njëjtat tema do të diskutohet ditëve në vijim.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, për momentin në qendrat për kovid në spitale trajtohen 512 pacientë.

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 2.071 raste të reja me Covid-19 nga 6.010 testet e kryera.