KSHZ: Votimi në burgje zhvillohet pa probleme

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njofton se votimi për zgjedhjet presidenciale në 14 institucionet ndëshkuese përmirësuese (INP) në vend po zhvillohet pa probleme.

“Sot në qendrat e votimit në 14 INP do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës 2147 zgjedhës. Të gjitha qendrat e votimit në INP janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit të sotëm dhe votimi atje do të vazhdojë deri në orën 19:00. Deri më tani, votimi ka vazhduar pa probleme”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

Të drejtën e votës sot do të mund ta ushtrojnë 2569 votues në 31 vendvotime në INP ku janë regjistruar për të votuar dhe aplikimet e të cilëve janë pranuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Të drejtën e votës në të vetmen qendër për personat e zhvendosur brenda vendit do ta ushtrojnë dy zgjedhës që identifikohen si të zhvendosur brenda vendit.

Votimi i banorëve të Shtëpisë për të moshuar “Kiro Krsteski – Platnik” në Prilep për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale po vazhdon pa probleme.

Këshillat zgjedhorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë ditës së sotme do të bëjnë votimin e personave të sëmurë ose të pafuqishëm, të cilët kanë dorëzuar njoftime me dokumentacion përkatës deri te komisionet komunale zgjedhore. Të drejtën e votës në banesat e tyre do ta ushtrojnë 6935 qytetarë të regjistruar si të sëmurë apo të pafuqishëm.

Në Listën Zgjedhore për Zgjedhjet Presidenciale janë regjistruar gjithsej 1.814.317 zgjedhës me të drejtë vote.

KSHZ-ja informon se ka një interesim të madh për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve nga organizatat dhe mediat vendore, të huaja dhe ndërkombëtare.

KSHZ-ja deri më tani ka lëshuar akreditime për vëzhgim për 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj dhe ndërkombëtarë, 51 përkthyes dhe 32 gazetarë të huaj.