KSHZ publikoi rezultatet përfundimtare: 44 kryetarë të zgjedhur komunash, raund të dytë në 33 komuna

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot shpalli rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale për gjithsej 44 komuna. Në 33 komuna, raund i dytë votimi do të zhvillohet më 2 nëntor, transmeton Portalb.mk.

“Njëmbëdhjetë komuna i bashkohen 33 komunave për të cilat shpallëm rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të enjten, ku zgjedhjet përfunduan në raundin e parë. Me shpalljen e sotme të 11 komunave për zgjedhjen e kryetarit të komunës në raundin e parë dhe 33 të mëparshmeve nga e enjtja e kaluar ku nuk pati kundërshtime, kanë përfunduar gjithsej 44 komuna ku zgjedhja e kryetarit të komunës u krye në raundin e parë zgjedhor. Kanë mbetur edhe 33 komuna që do të shkojnë në raundin e dytë”, tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të këshillave komunale dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, Kondarko njoftoi se vetëm në Komunën Shuto Orizarë do të përsëritet votimi më 2 nëntor për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit.

Pas votimit më 19 tetor, dhe pas skadimit të afateve ligjore për paraqitjen e padisë në Gjykatën Administrative pas ankesave në procedurën e votimit dhe në procedurën për përcaktimin dhe përmbledhjen e rezultateve të votimit, KSHZ-ja shpall rezultatet përfundimtare për komunat në të cilat nuk janë paraqitur padi në Gjykatën Administrative pas ankesave në lidhje me zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Komunal dhe anëtarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

“Ka mbetur vetëm një komunë me tre vendvotime në të cilat rezultatet u anuluan nga Gjykata Administrative – në Komunën Shuto Orizarë. Pas simulimit, u përcaktua se numri i votuesve të regjistruar në këto tre vendvotime mund të ketë një ndikim teorik në shpërndarjen e mandateve në Këshill. Bazuar në sa më sipër, dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Administrative për anulimin e votimit, KSHZ-ja vendosi që votimi në këto tre vendvotime në Komunën Shuto Orizarë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit do të përsëritet më 2 nëntor”, tha Kondarko.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.