KSHPK do të monitorojë pasurinë e 60 funksionarëve gjatë vitit 2026

Për vitin 2026, është paraparë të monitorohet pasuria e 60 funksionarëve. Këtë e bëri të ditur Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul. Ky aktivitet është pjesë e planit Vjetor të KSHPK-së për monitorimin e gjendjes pasurore dhe konfliktit të interesit.

“Dhjetë gjyqtarëve, dhjetë prokurorëve publikë, dhjetë deputetëve, dhjetë ministrave, dhjetë kryetarëve të komunave dhjetë personave që ju ka përfunduar mandati si kryetar do t’i monitorohet pasuria.”- tha Adem Çuçul, Kryetar i Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit

Çuçul theksoi se gjatë kontrollit të gjendjes pasurore të funksionarëve shpesh konstatohet se ata dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk shfaqin ndryshime të konsiderueshme në pasuri apo të ardhura por në opinion njihen për pasurinë e tyre. Sipas tij, zbulimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet një proces kompleks, ndërsa legjislacioni aktual i kufizon institucionet që të kontrollojnë vetëm anëtarët e familjes që jetojnë në të njëjtën ekonomi familjare me funksionarin.

“Tani është duke u punuar në plotësimin dhe ndryshimin e ligjit. Nuk është ligj për origjinën pasurisë por ligj për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile. Shpresojmë që kjo zgjidhje e re do të mbijetojë më shumë dhe pikërisht ne kemi qenë iniciatorët për sjelljen e këtij ligji për arsye se ne I kemi ndjekur funksionarët dhe ne një numër të madh rastesh deduktojmë se funksionarët apo të afërmit e tyre familjarë nuk kanë rritje të pasurisë por shpesh në opinion dëgjohet se persona që nuk kanë të ardhura të mëdha kanë pasuri të madhe dhe në këtë drejtim ishte propozuar kjo zgjidhje.-theksoi Adem Çuçul, Kryetar i Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit

Në këtë drejtim, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vlerëson se forcimi i mekanizmave ligjorë për kontrollin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është i domosdoshëm për një luftë më efektive kundër korrupsionit./Alsat.mk.