Kryetari i Prishtinës jep sqarime për hyrje dhe dalje në kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se vendimin për karantinë e merr Ministria e Shëndetësisë, bazuar në rekomandimin e Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Ai ka sqaruar që Ministria e Tregtisë është ajo që ka marrë vendim për personat që lejohen të hyjnë dhe dalin nga Prishtina, ndërkohë që brenda territorit vlejnë rregullat e njëjta si më parë.

Ahmeti ka shkruar se lejet për qarkullim për të hyrë dhe dalë në Prishtinë i lëshon qendra operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Vendimin për karantinë e merr Ministria e Shëndetësisë, bazuar në rekomandimin e IKSHP. Ministria e Tregtisë ka marr vendimin për personat e lejuar për të hyrë e dalë nga Prishtina sipas listës që e kanë dërguar te policia. Lejet për qarkullim për të hyrë e dalë i lëshon qendra operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Brenda territorit vlejnë rregullat e njëjta si më parë”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Ai ka thënë se kërkesë për nivelin qendror është që të lejohen lëvizjet e punëtorëve për furnizim vital që janë të komunave të tjera, e që punojnë në Prishtinë.

“Kërkesë për nivelin qendror është që të lejohen lëvizjet e punëtorëve për furnizimin vital që janë të komunave tjera e punojnë në Prishtinë si dhe të lejohen punëtorët e Prishtinës që janë në kanalet e furnizimit për komunat tjera. Prishtina është kryeqytet dhe kapilari kryesor ekonomik i Kosovës dhe ndërprerja e plotë shkakton pasoja të rënda ekonomike”, ka shtuar ai.