Çfarë thotë Isa Mustafa për ndihmën financiare që Albin Kurti ia kërkoi diasporës?

Ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Kjo ka bërë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti për luftimin e COVID 19 të kërkojë ndihmën financiare të diasporës. Me këtë thirrje të shefit të qeverisë në detyrë nuk po pajtohen në Lidhjen Demokratike.

Ka shkuar në 362 numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë.

Qeveria në detyrë krahas rritjes së numrit të rasteve të infektuar me COVID 19, ka kërkuar nga diaspora që të ndihmojnë me mjete financiare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  ka bërë të ditur se kanë hapur një llogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë.

Ai tha se të gjitha mjetet do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.

Mirëpo, me këtë thirrje të Albin Kurtit nuk po pajtohen në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka thënë për Gazetën Express se fonde të tilla mund të parashikohen vetëm me Ligjin për Buxhetin.

Ai thotë se jashtë ligjit, Qeveria nuk mund të përfitojë fonde dhe as t’i menaxhojë ato.

“Mendoj se  fonde të tilla mund të  parashikohen dhe të hapen vetëm me Ligjin për Buxhetin, të destinuara për nevoja të veçanta. Jashtë Ligjit, Qeveria nuk mund të përfitojë fonde dhe as të menaxhojë fonde”, ka deklaruar shefi  i LDK’së./GazetaExpress/