Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi realizoi takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Bern ka zhvilluar takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës, Pierre-André Page.

Sipas Gashit, në takim është konfirmuar niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i jep Maqedonisë së Veriut në proceset demokratike, reformat parlamentare dhe integrimin evropian, duke theksuar edhe rolin e diasporës si urë lidhëse mes dy vendeve.

“Pata nderin e veçantë që në Bern, të realizoj takim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës, Sh.T. Pierre-Andre Page. Konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona, si dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar”, ka deklaruar Gashi.