Kryetari i Haraçinës: Kudo ka grupe kriminale

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, në emisionin “10 minuta” në TV21, iu përgjigj akuzave të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se në Haraçinë ka grupe kriminale dhe se policia bashkëpunon me ta.

Ibrahimi është përgjigjur se ai personalisht dhe si komunë nuk ka kompetencë për këto çështje, por gjithashtu thotë se komandanti i stacionit policor nuk i ka këto informata.

Ibrahimi shtoi se çdo komunë ballafaqohet me probleme të tilla, jo vetëm komuna që ai drejton.

“Kompetencat e vetëqeverisjes lokale janë të kufizuara sepse realisht mund të ndërhyjë. Ne si pushtet vendor nuk kemi asnjë autoritet, nuk kemi as stacion policorë, por kemi vetëm qendrën rajonale të Gazi Babës.

Komandanti i policisë nuk e ka këtë informacion. Së fundi, çdo komunë ka problemet e veta, në çdo komunë ka grupe të tilla. Mirëpo ne jemi të interesuar që të mos ketë grupe të tilla në komunën tonë e as në komunat tjera”, tha Ibrahimi.