Kryeparlamentari Talat Xhaferi uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka uruar gjithë besimtarët e konfesionit islam për festën e Kurban Bajramit.

Të nderuar qytetarë, pjesëtarë të konfesionit islam, Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve të konfesionit islam në vend dhe kudo që gjenden jashtë tij, ju shpreh urimet e mia të përzemërta me rastin e festës së madhe myslimane – Kurban Bajrami, me shpresë që festa të ju gjejë me shëndet të mirë, paqe shpirtërore dhe ngrohtësi familjare.

Kurban Bajrami, si festë e solidaritetit dhe bashkëndjesisë, festë e zemërgjerësisë dhe faljes, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve, pa dallim në janë të afërm, të largët, të
njohur e të panjohur, le të kaplojë zemrat e të gjithë njerëzve dhe le ti mbushë me gëzimin që e sjell kjo ditë e madhe. Le të jetë edhe një arsye plus për tu tubuar bashkë rreth tryezës familjare, për të ndarë atë që kemi dhe nuk kemi, sado pak apo shumë që është, me ato që kanë më pak fat dhe mirëqenie.

Njerëzimi kalon nëpër një periudhë të zymtë të ekzistimit kur vihet në pyetja siguria e jetës, ekzistenca ekonomike dhe mirëqenia shëndetësore. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut
nuk janë përjashtim. Edhe pse kemi teknologji të avancuar dhe globalizimi ndihet në çdo kënd, përsëri jemi të largët dhe të huaj. Përsëri jemi të vetmuar dhe i luftojmë betejat tona intrapersonale dhe interpersonale vetë.

Mos lejojmë së paku për çështjet thelbësore të jemi vetë por, të bashkohemi për të tejkaluar bashkë çdo pengesë apo vështirësi që na shfaqet para. Le të kremtojmë bashkë jetën dhe të ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët. Të gjithë jemi pjesë e pandashme e këtij trualli dhe kujdesi dhe ruajtja e tij është obligimi i të gjithëve ne.

Edhe njëherë, urime Kurban Bajrami dhe për shumë vite ta festojmë!, thuhet mes tjerash në urimin e kryekuvendarit Xhaferi.