Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar Republikën e Qipros me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e Europës.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, uroj Republikën e Qipros për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian në një moment vendimtar për të ardhmen e Europës”, ka shkruar Gashi në postimin e tij.
Ai ka vlerësuar prioritetet e shpallura nga Presidenca qipriote, duke theksuar se vizioni për një “Union autonom, të hapur ndaj botës” është i rëndësishëm për përballimin e sfidave aktuale gjeopolitike dhe për forcimin e rolit global të Bashkimit Europian.
Duke folur për perspektivën europiane të vendit, Gashi ka nënvizuar se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj integrimit europian. “Ne besojmë se një BE e fortë, autonome dhe e hapur ndaj botës nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, prandaj zgjerimi është investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë europiane”, ka theksuar ai.
Në fund, kryeparlamentari ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Presidencën e Qipros, duke i uruar asaj suksese në drejtimin e Këshillit të BE-së, “në funksion të një Europe më të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse”.




